tiranaPjesa më e madhe e qendrës së Tiranës është zhytur në errësirë mbrëmjen e sotme.

Që nga zona e Ali Demit, te rruga e Elbasanit, deri në ish-bllok dritat kanë ikur duke e lënë gjithë këtë hapësirë në errësirë për një kohë relativisht të gjatë.

Në fakt, prej disa ditësh zona të qendrës së Tiranës kanë provuar errësirën. Por nëse në ditët e mëparshme dritat kanë ikur diku pas mesnatës, sot, kjo ka ndodhur rreth orës 19.00.

Asnjë informacion për këtë ikje dritash, për më tepër të gjysmës së Tiranës, nuk ka nga OSHEE.

Në një kohë që janë përforcuar në ekstrem masat për debitorët, duke u lënë shumë prej tyre si alternativë burgun apo ikjen nga puna për buxhetorët, nuk jepet asnjë shpjegim për lënien në errësirë të gjysmës së kryeqytetit.

As OSHEE por as vetë Ministria e Energjisë nuk kanë njoftuar për ndonjë problem apo remont në linja, që mund të shkaktonte ikjen e dritave dhe lënien në errësirë të mijëra banorëve të këtyre zonave në kryeqytet. Nuk dihet madje as se kush do të japë një përgjigje për këtë.

Tv Klan