Presidenti i Maqedonisë ka kërkuar garancia nga partitë që përbëjnë shumicën parlamentare se me programin e ri qeveritar nuk do të shkelin kushtetutën dhe integritetin e vendit, njofton agjencia e lajmeve INA.

Partitë politikë, LSDM, BDI dhe BESA tani më kanë konfirmuar se janë të gatshme ta firmosin një deklaratë ku theksohet se program qeveritar do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Maqedonisë.  Nga LSDM-ja bëjnë të ditur se do ta njoftojnë qytetarët, publikun vendor dhe bashkësinë ndërkombëtare se qeveria e re reformatore do ta garantoj karakterin unitarë të Maqedonisë, duke u bazuar në Kushtetutën e Maqedonisë. Deputeti i BDI-së, Artan Grubi thotë se edhe partia të cilës i takon ai do të jap garanci se nuk do të shkelet Kushtetuta e Maqedonisë.

Njëjtë është përgjigjur edhe deputeti i Lëvizjes BESA, Zekirija Ibrahimi. Ai ka theksuar se të gjithë deputetët do të firmosin një deklaratë ku theksohet se programi qeveritar do të jetë në kornizat e Kushtetutës së Maqedonisë.

Ndërsa nga Aleanca për shqiptarët  janë të rezervuar dhe thonë se: “I takon LSDM-së dhe Zaevit të kërkojë mandatin për qeverinë e re.

Mandatar është ZoranZaev, ai duhet të shkon dhe të arsyetohet ose të dërgon  letër dhe të zotohet  deri tek kryetari i shtetit. Ne si parti politike shqiptare që e përkrahim shumicën parlamentare ende nuk kemi vendos as për hyrje në qeveri dhe nuk kemi çfarë të bisedojmë me presidentin pasi që mendojmë se ai s’ka edhe kredibilitet. Përveç asaj ai është edhe fajtor i gjithë këtyre ngjarjeve që ndodhën gjatë pesë gjashtë muajve të fundit në Maqedoni  deklaroi Arben Taravari  i Aleancës  për Shqiptarët.(INA)