Parlamenti votoi dje paketën e ligjeve të domosdoshme për vënien në jetë të Reformës në Drejtësi. Opozita siç kishte paralajmëruar dha votën e saj vetëm për ligjin për ngritjen e strukturave të posaçme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë, SPAK.

Ligji, i cili mori 122 vota në favor, parashikon dhe ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila pritet të funksionojë sipas modelit të FBI-së amerikane.

Në fakt dhe anëtarët e saj do të trajnohen pranë akademisë së FBI-së. Ata do të kenë në dispozicion teknologjitë më të avancuara të hetimit, ndërkohë që do të detyrohen t’i nënshtrohen dhe testit të së vërtetës.

Një agjent i FBI-së amerikane do të dërgohet gjithashtu në Tiranë për të mbikëqyrur aktivitetin e anëtarëve të Byrosë.

Parlamenti votoi edhe për 5 ligjet e tjera të cilat parashikojnë ngritjen e një sërë strukturash të reja dhe zëvendësimin e institucioneve ekzistuese të cilat shkrihen. Por ato kaluan vetëm me votat e shumicës, pasi opozita braktisi sallën pas miratimit të SPAK-ut./tvklan.al