Politikanë dhe diplomatë ende nuk kanë një përgjigje për pyetjen sesi do të votojnë shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme, me letër si deri tani, apo në mënyrë elektronike. Në diskutimin e fundit ambasadori Lu ftoi edhe për këtë çështje Ramën e Bashën të marrin një vendim para se të shkojnë me pushime.

“Teknologjitë kanë eliminuar problemin me letrat dhe amerikanët kanë më shumë besim tek procesi, por dua të shtoj se nuk ka qenë e lehtë. Nëse shqiptarët duan një projekt pilot për 2019 duhen identifikuar problemet. Nëse do të prisni deri verën e ardhshme do të ishte ndëshkim. E përsëris, ka probleme të mëdha që i kemi parë: blerja e votës, intimidimi, mjedisi i papërshtatshëm dhe procesi elektronik i zgjidh këto probleme. Shqipëria duhet të zgjidhë rekomandimet e ODIHR”.

Votimi elektronik mbetet kushti kryesor i opozitës për zgjedhjet e ardhshme. Para kësaj, deputeti Bylykbashi kërkoi një ligj të posaçëm, grupe ekspertësh të pavarur dhe ekspertizë ndërkombëtare, ndërsa socialistët nuk e kanë thënë fjalën e fundit sesi do të votojnë shqiptarët me letër apo me elektronikë.

“Përpara se të flasim cila teknologji është më e përshtatshme na duhet një arkitekturë shumë solide e sistemit, të kemi një grup personash të pavarur që të jenë atje për të certifikuar që gjithë ajo që do të bëjnë ekspertët e IT nuk është diçka e manipuluar apo ka probleme dhe më pas zgjedhim teknologjinë”.

Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste Bledi Çuçi thotë:

“Ka vend dhe unë ndaj të njëjtin mendim ku mund ta përdorim teknologjinë, por ka dhe aspekte ku duhet të jemi të kujdesshëm nëse duhet t’i përdorim apo jo. Përdorimi i teknologjisë nuk garanton besim mes palësh, përkundrazi besimi mund të bëhet që përdorimi i teknologjisë të sjellë sukses në procesin zgjedhor”.

Ambasadori i OSBE, Bernd Borchardt tha se procesi i përdorimit të teknologjive të reja të votimit ka rreziqe, është i shtrenjtë dhe shpesh i kërcënuar nga sulme kibernetike. Borchardt rekomandon numërimin elektronik, i cili nuk kërkon shpenzime financiare të pamata, do të ishte offline, pra nuk do të sulmohej lehtë nga piratët e kibernetikës, si dhe mund të kontribuonte në depolitizimin e një pjese të administratës zgjedhore.

Klan Plus