Mungesa e kaskave mbrojtëse dhe një manovër e gabuar u bënë shkak që dy të rinj të humbasin jetën në një aksident me motor. Kejdi Halili 21 – vjeç, drejtues i mjetit dhe 22 – vjeçari Ergi Dini, fitues i edicionit të tretë i “X-Factor Albania” në Televizionin Klan, mbetën të vrarë në aksidentin që ndodhi rreth orës 21:20 të së martës në mbrëmje, në bulevardin Bajram Curri, në qendër të Tiranës.

Burime nga policia thanë se dy të rinjtë nuk kanë qenë me shpejtësi, por në një moment, Kejdi Halili, që drejtonte motoçikletën i ka dhënë gaz mjetit, duke tentuar ta ngrejë në rrotë të parë, çka ka sjellë rrëzimin e tyre.

Të dy ata mbetën të plagosur, duke marrë fraktura në kokë, pasi udhëtonin pa skafandrat mbrojtëse. Pikërisht për këtë shkak, efektivët e Policisë Rrugore, pak metra më tej kishin organizuar një kontroll për të ndaluar motoçikletën. Kjo pasi kishin marrë sinjalizim se dy të rinj lëviznin të pa pajisur me skafandrat mbrojtëse.

Të dy personat u dërguan menjëherë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në gjendje kritike për jetën, por nuk mundën t’u mbijetojnë plagëve të marra. Burimet nga spitali pohuan se dy të rinjtë kishin marrë fraktura të rënda në kokë, ç’ka sipas tyre ka qenë edhe shkaku i vdekjes.

Ergi Dini u bë i njohur për publikun pas pjesëmarrjes në spektaklin “X Factor” në vitin 2014, ku u shpall dhe fitues. I riu nga Shkodra u dallua për zërin e tij të veçantë dhe personalitetin në skenë.

Tv Klan