Varësia ndaj celularit në ditët e sotme është kthyer në një shqetësim për njerëzit. Të shumtë janë ata që me t’u ngritur në mëngjes rendin fillimisht drejt telefonit. Ky obsesion na shoqëron edhe në ditët e pushimeve.

Mirëpo çlirimi nga të qenit i varur nga telefoni, të paktën gjatë pushimeve, është i mundur, madje mund të kthehet në një stimul për të nxjerrë përfitime nga varësia ndaj teknologjisë. Specialistët psikiatër italianë shpjegojnë se pikë së pari duhet vullnet i fortë për t’u çintoksikuar nga e-maili apo rrjetet sociale.

Nevojitet një ndërgjegjësim i fortë se aq kohë sa kalojmë me smartphonin tonë mund ta kalojmë në aktivitete me të shëndetshme. Për të larguar celularin, duhet pikë së pari ta heqim nga sytë atë, thonë ekspertët. Me rëndësi është vendosja e disa rregullave, si përdorimi me orar të caktuar i rrjeteve sociale, largimi i telefonit nga tryeza e ngrënies apo në shoqërinë e miqve.

Fikja e telefonit gjatë natës është një tjetër këshillë e mirë, pasi zilet apo sinjalet që vijnë në orët e vona dëmtojnë regjimin e do të na prishnin pushimet. Gjithsesi specialistët nuk këshillojnë shkëputje drastike nga celulari, pasi kjo është vështirë në një kohë kur ai ka zëvendësuar aparatin fotografik, hartën apo agjendën. TV KLAN