edliraUlçera përfaqëson një plagë ose mungesë indi në murin e brendshëm (mukozën) të stomakut ose të duodenit. Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e problemeve të stomakut janë të shumta. Ato lidhen me trashëgiminë familjare, me përdorimin e preparateve anti-infalamatore ose kortizonikëve, si dhe nga përdorimi i alkoolit dhe duhanit, të cilët luajnë rol në shkaktimin e sëmundjes ulçeroze. Dr. Edlira Elezaj në një intervistë për tvklan.al ka trajtuar më gjërë simptomat dhe komplikacionet më të shpeshta që shfaq ulçera në stomak. Sipas Dr. Elezaj, ekzaminimi kryesor për të vënë diagnozën e sëmundjes është gastroskopia, me anë të së cilës eksplorohet e gjithë mukoza e stomakut, por avantazhi i saj është marrja e materialit për biopsi në rast dyshimi për malinjitet.

Çfarë sëmundjesh shfaqen më shpesh në stomak?

Ndër patologjitë e stomakut që ne i ndeshim më shpesh në punën tonë të përditshme, janë: gastritet, sëmundja ulçeroze, refluksi gastroezofageal dhe kanceret e stomakut.

Çfarë është  ulçera?

Ulçera përfaqëson një plagë ose mungesë indi në murin e brendshëm (mukozën) të stomakut ose të duodenit. Në varësi të lokalizimit të saj ato mund të jenë ulçera duodenale që takohen më shpesh dhe ulçera gastrike që ndeshen me rrallë se të parat.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e ulçerave?

Në shfaqjen e sëmundjes ulçeroze ndikojnë një sërë faktorësh. Ulçera takohet më shpesh në seksin mashkull në krahasim me atë femër. Ulçera duodenale takohet në një moshë relativisht më të re se ato gastrike. Trashëgimia është një tjetër faktor që ndikon në këtë sëmundje. Takohet më tepër në persona që kanë një histori familjare lidhur me sëmundjen. Infeksioni nga helikobakter pilori akuzohet si një shkaktar i rëndësishëm i shkaktimit të sëmundjes ulçeroze. Përdorimi i preparateve antiinfalamatore ose kortizonikeve, të përdorura për trajtimin e sëmundjeve reumatizmale, kontribon në dëmtimet e mukozës së stomakut në formë të gastriteve erosive dhe ulçerave. Gjithashtu përdorimi i alkoolit dhe duhanit luan rol të rëndësishëm në shkaktimin e sëmundjes ulçeroze.

Cilat janë simptomat që shfaq?

Përsa i përket simptomave më shpesh takohet dhimbja të cilën i sëmuri e ndjen si një dhimbje shtrënguese në zonën e stomakut, herë të tjera me karakter djegës apo në trajtë të një ndjenje urie të ekzagjeruar apo dhimbje shpine. Dhimbja ka karaker të fortë që shpesh e zgjon të sëmurin natën nga gjumi dhe se mund të qetësohet me preparate antiacide ose nga përdorimi i sodës së bukës. Simptoma të tjera të ulçerës mund të jenë të vjellat, fryrja e barkut, kapsllëku, rënia apo shtimi në peshë dhe në rast komplikaionesh hemoragji nga goja apo me të dalurat jashtë.

Cila është metoda efikase për diagnozën e sëmundjes ulçeroze?

Ekzaminimi kryesor për të vënë diagnozën e sëmundjes është gastroskopia, me anë të së cilës eksplorohet e gjithë mukoza e stomakut, por avantazhi i saj është marrja e materialit për biopsi në rast dyshimi për malinjitet.

Si trajtohet?

Preparate të përzgjedhura deri tani janë frenuesit e pompës protonike, të tipit omeprazole, pantoprazol, lansoprazol dhe kombinimi i tyre me antibiotikë në rast se është i pranishëm infeksioni nga helikobakter pilori, do ta bënte mjekimin të suksesshëm.

Cilat janë komplikacionet më të shpeshta të sëmundjes ulçeroze?

Ndër komplikacionet më të shpeshta të sëmundjes janë hemoragjia e sipërme ose e poshtme në trajtë të hematemezës dhe melenës, pra nga goja ose me të dalurat jashtë, përforacioni (shpimi) i stomakut, stenoza e pilorit apo penetrimi (depertimi) në organet përreth. Ndaj do të kishte rëndësi diagnostikimi në kohë dhe mjekimi korrekt i sëmundjes.

Në raport me ushqimin çfarë kujdesi duhet treguar?

Personalisht nuk do të rekomandoja dieta apo kufizime të gjëra pa shkak të ushqimeve, por rekomandimi im do të ishte pa alkool, pa duhan, pa e tepruar me  ushqime pikante, kafeinë apo ushqime fibroze të pa përgatitura mirë.

Çfarë iu rekomandohet pacientëve me probleme të stomakut?

Do t’ju rekomandoja që në rast shqetësimesh nga stomaku, të konsultohen me mjekun specialist Gastro -Hepatolog, pasi kështu do marrin një diagnozë të saktë dhe mjekim korrekt.

Intervistoi: Vilma Kërçiku