doktori

“Thonjtë duhen prerë drejt, jo shumë shkurt duke zbuluar pjesën e mishit. Qoshet duhen lënë të lira dhe jo të priten apo të shkulen”, është kjo një ndër këshillat e Ortopedit, Artid Duni i cili ka trajtuar hollësisht shkaqet dhe mënyrat e parandalimit të kësaj sëmundje.

Veç të tjerash, Dr. Duni thekson se është e nevojshme të garantojmë “frymëmarrjen” e këmbës dhe të evitojmë lagështinë e cila predispozon sëmundjen.

Kjo sëmundje sjell shqetësime të mëdha dhe mund të favorizohet nga diabeti, qarkullimi i pamjaftueshëm i gjakut ose predispozicioni gjenetik për të patur thonj shumë të fortë apo me hark të ekzagjeruar gjë që bën që thoi të rritet në brendësi të lëkurës.

Problemet me thonjtë në mish janë të përhapura te një pjesë e madhe e njerëzve. Përse ndodh ky shqetësim?

Thoi në mish ose Unguis Incarnatus është një kondicion i dhimbshëm në të cilin thoi i gishtit të madh të këmbës rritet në brendësi të shtratit të thoit në njërën ose të dy anët e tij, duke bërë që lëkura të acarohet (inflamacion). Më pas për shkak të mbivendosjes së mikrobeve thoi infektohet, duke shkaktuar plagë në lëkurë e cila tenton të mbulojë difektin, duke u mbirritur anash thoit (granuloma), gjë që e bën më të dukshme pamjen e thoit në mish.

Cilat janë shkaqet prej të cilave duhet të ruhemi për të patur një thua të shëndetshëm?

Ndër shkaqet më të shpeshta sot përmenden në rradhë të parë, presioni që ushtrohet mbi thoin nga këpucët e ngushta, lagështia e vazhdueshme e shkaktuar nga veshja e papërshtatshme e këmbës, kujdesi i keq për thoin duke e prerë shumë shkurt dhe duke i rrumbullkosur qoshet, si dhe traumatizimi i gishtit të madh në zonën e shtratit të thoit (shpime, goditje me sende të forta etj)

Çfarë e favorizon këtë sëmundje?

Sëmundja mund të favorizohet nga diabeti, qarkullimi i pamjaftueshëm i gjakut ose predispozicioni gjenetik për të patur thonj shumë të fortë apo me hark të ekzagjeruar gjë që bën që thoi të rritet në brendësi të lëkurës.

Cilat janë simptomat në këtë rast?

Pacientët ankohen për shqetësime që fillojnë nga dhimbja dhe skuqja e lehtë, pamundësia për të veshur këpucën, ndjeshmëri e rritur në zonën e thoit sa edhe mbulesa e shtratit i bezdis, e deri në plagë me rrjedhje sekrecionesh purulente (qelb) në rrëzën e thoit.

Si mund ta parandalojmë?

Padyshim që është më lehtë ta parandalojmë sesa ta mjekojmë. Duhen evituar këpucët e ngushta të cilat ushtrojnë presion mbi thoin, duke e bërë të rritet në mënyrë anormale. Kjo sëmundje nuk ekziston në popullata që ecin zbathur. Veshja e përshtatshme e këmbës duke siguruar hapësirën e nevojshme për gishtat dhe pa ushtruar presion mbi thonjtë është masa numër një. Këpucët duhet të jenë me pjesën e përparme të gjerë dhe pa taka të larta. Ato duhet të garantojnë “frymëmarrjen” e këmbës dhe të evitojnë lagështinë e cila predispozon sëmundjen. Higjena korrekte e këmbës dhe kujdesi për të është gjithashtu themelore. Thoi duhet prerë drejt, jo shumë shkurt duke zbuluar pjesën e mishit dhe qoshet duhen lënë të lira dhe jo të priten apo të shkulen. Individët që merren me sport gjithashtu duhet të jenë shumë të kujdesshëm për shkak se traumatizimi i gjatë dhe i përsëritur, këpucët sportive dhe lagështia i bën më të predispozuar.

Çfarë kujdesi duhet të kenë idividët që preken nga problemet me thonjtë?

Marrja e masave të thjeshta si ato që përmendëm janë të domosdoshme. Nëse një apo më shumë nga shenjat e sipërpërmendura shfaqen, atëherë pacientët duhet të drejtohen tek mjeku për ndihmë të kualifikuar. Ekzistojnë dhe probleme të tjera, si sëmundjet mykotike të thonjve, probleme me këmbën diabetike apo qarkullimin e pamjaftueshëm periferik të gjakut që mund të japin shenja të ngjashme në thonj, të cilat nuk duhen neglizhuar. Problematika e trajtimit të sëmundjeve që prekin këmbën sot ka marrë dimensione të tilla saqë është bërë i domosdoshëm një profil i veçantë i mjekësisë që quhet PODIATRI.

Çfarë përfshin trajtimi jokirurgjikal i thoit?

Në rastet e lehta ku vetëm skuqja dhe dhimbja janë prezente rekomandohen banjo me ujë të vakët me solucion kripe apo permanganat kaliumi disa herë në ditë, marrja e analgjezikëve të thjeshtë dhe evitimi i këpucës. Rekomandohen sandale apo pandofla deri në shërimin e plotë. Ngritja e cepit të thoit nëpërmjet fijeve të pambukut apo fijeve dentare të futura me kujdes nën qoshen e thoit është parë të jetë gjithashtu rezultative për rastet e moderuara. Sot ekzistojnë një sërë produktesh tregtare që tentojnë të trajtojnë sëmundjen nëpërmjet ngritjes së thoit me disa pajisje metalike apo plastike të quajtura splinte, por rezultatet janë ende në fazë eksperimentale për t’u pranuar nga opinion mjekësor podiartrik.

Po trajtimi kirurgjikal?

Trajtimi definitiv dhe më rezultativ për këtë patologji nëse ajo është tashmë instaluar dhe manifeston shenjat e infeksionit apo abcesit me dhimbje, skuqje, enjtje, rrjedhje dhe granulomë, është ai kirurgjikal. Procedura mund të realizohet edhe në kushte ambulatore me anestezi locale, por duke respektuar rregullat e sterilitetit. Ajo konsisiton në ekscizimin (heqjen kirurgjikale) të pjesës së granulomës, indeve të buta anash thoit, si dhe pjesës laterale (anësore) të thoit të futur në mish bashkë me zonën ku ai fillon të rritet (matriksi germinativ). Suturat (qepjet) mbahen rreth dy javë, kohë gjatë të cilës plaga nuk duhet lagur dhe ecja duhet bërë pa peshuar mbi gishtin e madh me ndihmën e patericës.

Cila metodë trajtimi këshillohet të përdoret?

Nëse masat e mësiperme parandaluese apo mjekimet konservative nuk rezultojnë efikase dhe nëse persiston plaga me rrjedhje për një kohë të gjatë atëherë trajtimi kirurgjikal është i rekomanduar për të evituar ndërlikimet e mëtejshme, si infeksioni i rëndë i indeve të buta apo osteomieliti (nfeksioni i kockës) i falangut distal të gishtit të parë të këmbës.

Intervistoi: Vilma Kërçiku