Policia e Shkodrës ka dhënë detaje për grabitjen e ndodhur një ditë më parë në Dukagjin. Në një njoftim për mediat thuhet se, rreth orës 14:15, policia u njoftua se në rrugën e Dukagjinit, në fshatin Kir, 3 persona të armatosur dhe me maska grabiten një mjet ‘Land Rover’ me targa AA285DG, me drejtues P.K.

Pasi i bënë shenjë shoferit të ndalonte, grabitësit kanë qëlluar me armë mbi gomën e parë të mjetit. Më pas kanë urdhëruar 7 personat që ndodheshin në mjet të zbrisnin, të linin telefonat e të largoheshin. Drejtuesit të mjetit i morën edhe portofolin.

Ndaj personave, sqaron policia, nuk është ushtruar dhunë fizike, ndërsa automjeti u gjet i djegur.

Policia thotë se ka shoqëruar disa persona në lidhje me ngjarjen dhe po punon intensivisht për identifikimin, dokumentinimin ligjor dhe kapjen e autorëve.

“Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”, “Shkatërrim prone me zjarr” dhe “Mbajtje pa leje i armëve dhe municioneve luftarake”,

përfundon njoftimi i policisë./tvklan.al