Policia italiane ka shkatërruar një organizatë kriminale të përbërë nga shqiptarë që vepronte në zonën e Padova Trebaseleghe, Camposampiero dhe San Martino di Lupari në Itali. Në total janë arrestuar 12 persona të përshirë në trafikun e kanabisit, heroinës dhe kokainës. Një pjesë e të arrestuarve ndodhen tashmë në burg të prangosur më herët.

Policia italiane thotë se kjo organizatë funksiononte me stilin e “Gamorrës”, mafies italiane. Kjo do të thotë se gratë, të dashurat, motrat dhe vëllezërit e të arrestuarve ofronin mbështetje për të afërmit e tyre. Kjo dukej sidomos kur të pandehurit ishin në arrest shtëpie dhe të afërmit u krijonin kushte të mira dhe u ofronin ndihmë për t’u arratisur në Shqipëri.

Hetimet e palës italiane kanë nisur në 11 shtator 2015, kur Dorian Kurti u arrestua si pronar i një banese në “Sant’Andrea brenda së cilës u gjetën 60 kg marijuanë, 10 heroinë dhe doza kokaine. Por, Dorian Kurti është vetëm një “peshk” i vogël. Agjentët depërtuan më në thellësi për të identifikuar “kokat e mëdha”. Në 6 maj 2016 u arrestua Redian Denizi me 300 gram kokainë.

Më 21 qershor u arrestua Erald Guza me 2.5 kg heroinë, më 13 korrik u prangos Petrit Stoiku me gjysmë kilogrami kokainë. Një muaj më vonë u arrestua Dario Myftiu, të cilit ju gjetën 160 mijë Euro dhe 30 kg heroinë. Por, pas disa ditësh ai u la i lirë nga Gjykata italiane për shkak të një gabimi burokratik. Për Dario Myftiun, policia thotë se është kreu i kësaj organizate. Më pas ai u shpall në kërkim ndërkombëtar nga policia italiane. Disa ditë më parë, më 18 korrik 2017 Dario Myftiu u arrestua në Durrës nga Interpoli. /

tvklan.al