Pas sulmit ndaj autobusit të Borussia Dortmund, UEFA po shton masat e sigurisë. Një vëmendje të veçantë pritet të ketë finalja e Champions League që do të luhet më 3 qershor në Kardif.

Sipas britanikes “The Sun” drejtuesit e Unionit Europian të Futbollit i kanë kërkuar autoriteteve të Uellsit që të jetë e mundur që të mbyllet çatia e stadiumit “Millennium” për të shmangur sulmet nga lart edhe ndonjë dron.

Mbulesa e kësaj arene që mund të presë 75 mijë spektatorë mbyllet në raste kur moti është i keq, por kësaj radhe mund të shërbejë për çështje sigurie. Ditën e finales parashikohet të angazhohen 15 mijë forca sigurie, policë apo stjuard. Masat e sigurisë për kërcënime të mundshëm po shtohen gjithmonë e më shumë në aktivitetet sportive.

Tv Klan