“Në prag të festave të fundvitit duhej të ishim pranë një peme të zbukuruar, por jemi këtu,  pranë kësaj peme të mbuluar nga qeset, si simbol i ndotjes së mjedisit që ne vetë kemi shkaktuar duke hedhur mbeturinat nëpër lumenj.”

Vërshimi i ujit i pak ditëve më parë, shkaktoi shumë dëme në shtëpi, të mbjella, dhe bagëti. Shumë ura u shembën, rrugë u bllokuan, dhe zona të tëra mbetën në errësirë.

Por dëmi më i madh është ky.

Në qoftë se urat mund të rindërtohen, dhe dëmet e tjera mund të zhbëhen në pak kohë, çfarë do të bëhet me lumenjtë? Sa kohë do të duhet që ato të kthehen në gjendjen normale, dhe ne të mos shohim më këto pamje.

Menjëherë pasi kaloi vala e përmbytjeve, grupet e vlerësimit nxituan të mbanin shënim dëmet që ato lanë pas. Por askush nuk u kujtua që të bënte diçka për të përmirësuar këtë situatë.

Madje kjo ndodh fare pranë kryeqytetit.

“Jemi këtu në lumin e Tiranës, vetëm pak kilometra nga qendra e kryeqytetit. Kjo është ajo çka ka lënë pas vërshimi i ujit i pak ditëve më parë.”

Shumë pranë aeroportit të Rinasit, turistët që vijnë për të shijuar bukuritë e vendit tonë, përballen me këto pamje.

Nëse situata do të vazhdojë kështu, dhe ne do të vazhdojmë t’i hedhim mbetjet urbane nëpër lumenj, Shqipëria turistike shumë shpejt do të jetë veç një kujtim i largët, sepse askush nuk do të donte të kalonte pushimet e tij në një vend që ngjan si një landfilli të madh.

Për këtë nuk e ka fajin natyra. Ajo është treguar shumë bujare me ne, por nëse kjo situatë do të vazhdojë, shumë shpejt të gjithë ne do të vuajmë pasojat e asaj që kemi shkaktuar.

Klan Plus – Renaldo Salianji