Gripi është një infeksion akut viral, i cili shpërhapet në mënyrë të lehtë nga një person në tjetrin. Viroza qarkullon dhe mund të prekë cilindo pavarësisht moshës apo grupit social. Gripi shkakton epidemi e cila arrin kulmin pas dimrit, në kohën kur mbizotërojnë shirat lokalë. Gripi është një problem i shëndetit publik, i cili shkakton sëmundje dhe vdekje për një pjesë të mirë të popullatës.

Shenjat dhe simptomat

Gripi sezonal karakterizohet nga temperatura e lartë, kolla, zakonisht e thatë, dhembje koke, muskujsh, artikulacionesh, dobësi, rrjedhje të hundëve. Shpeshherë personat e prekur nga gripi kanë ethe dhe brenda një jave kanë probleme në rast se nuk marrin mjekimin e nevojshëm. Koha e inkubacionit të virusit të gripit të zakonshëm është dy ditë.

Gripi i zakonshëm mund të prekë të gjithë popullatën por nga ana tjetër mund të sjellë komplikacione për një pjesë të popullatës me risk si fëmijët, të moshuarit dhe pacientët kronikë apo me gjendje të vështirësuar shëndetësore. Ata që preken më shumë nga gripi janë personat me probleme të zemrës, mushkri, veshka, pacientët me sëmundje gjaku, me probleme metabolike si diabeti ose ata me sistem imunitar të dobët.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, janë tre tipa të gripit të zakonshëm. A, B, C. Tipi i gripit A ka disa nëntipa të tjera dhe kombinime të viruseve. Disa nga nëntipat janë A(H1N1), A(H3N2), të cilat po qarkullojnë edhe te njerëzit në të gjithë botën. Tipi C i gripit është më pak i zakonshëm se A dhe B. Për këtë arsye në vaksinën e gripit sezonal përfshihet mbrojtja për tipin A dhe B.

Epidemia sezonale

Gripi i zakonshëm, përsëritet çdo vit në vjeshtë dhe në dimër. Shumica e vdekjeve nga gripi ndodhin te moshat mbi 65 vjeç dhe kryesisht në vendet e industrializuara. Sipas OBSH-së, mënyra më e mirë e parandalimit nga virozat dhe gripi i zakonshëm është vaksinimi, traditë kjo 60-vjeçare. Përveç gripit të zakonshëm, vaksina parandalon në 60-90 për qind të rasteve edhe viroza, sëmundje të tjera.

Kategoritë që duhet të vaksinohen çdo vit dhe duhet të trajtohen me prioritet janë personeli shëndetësor, personat afër pleqërie, pacientët kronikë, gratë shtatzëna, personat në detyrë të rëndësishme për shoqërinë, fëmijët nga 6 muaj deri në 2 vjeç.

Gripi sezonal është një sëmundje respiratore e shkaktuar nga një virus infektiv. Virozat sezonale u identifikua për herë të parë në vitin 1933. Sakaq, vaksina sezonale është në tregun farmaceutik. Ajo kushton nga 1200 deri në 1400 lekë. Duhet të merret në farmacitë pranë qendrave shëndetësore, ndërkohë që periudha e krijimit të antitrupave nis nga 2 javë deri në 1 muaj pas marrjes së saj.

Qëndroni në ajër të pastër dhe bëni sport

Gjatë stinës së vjeshtës dhe të dimrit nuk duhet të mbylleni në shtëpi në të ngrohtë, por të dilni, pasi të jeni mbështjellë mirë dhe të ecni për të paktën 30-45 minuta pesë ditë në javë. Në fakt në ambientet e mbyllura jeni më tepër në kontakt me njerëzit dhe si pasojë mund të merrni virusin. Edhe aktiviteti fizik, sidomos në ajër të pastër, forcon sistemin imunitar.

Pushim dhe ushqim të shëndetshëm

Gjithmonë është e vështirë të gjesh kohën për t’ia kushtuar vetes, duke qenë se jeni shumë të angazhuar me punën, familjen, miqtë etj. Por është e domosdoshme që të bëni fiskulturë, sepse stresi rrit mundësinë e marrjes së ndonjë ftohjeje, ose më keq gripin. Përveç të tjerash, njerëzit e stresuar janë të prirur të ushqehen keq, shumë pak, ose në mënyrë pak të shëndetshme. Për të shmangur rreziqet e mundshme duhet t’i kushtoni rëndësi edhe vetes, të bëni atë që ju pëlqen, të qetësoheni dhe të çliroheni prej të gjitha angazhimeve ku vareni.

Lani duart shpesh

Viruset e gripit mbijetojnë nga dy deri në tetë orë te dorezat e dyerve dhe mbi sipërfaqe të ndryshme, si tryezat etj. Si pasojë është shumë e lehtë që të sëmureni në ambientet e punës, por mund ta shmangni duke larë shpesh duart dhe duke u përpjekur të mos prekni sytë, hundën dhe buzët. Mirë do të ishte që të përdorni sapun të lëngshëm, sepse mikrobet mund të formohen edhe mbi kallëpin e sapunit. Duart duhen fërkuar mirë për 20 sekonda dhe të thahen me peshqir, ose letër duarsh (por jo mbi rroba).

Gjumi i ëmbël

Nëse për një natë nuk bëni gjumë të rehatshëm, ose nuk plotësoni orët e duhura, nuk prish punë. Por nëse e bëni rrugë duke fjetur më pak se 7 orë për shumë net me radhë, atëherë jeni të predispozuar të sëmureni. Sporti “gudulis” gjumin, por këtë rregull duhet ta zbatoni jo në orët e vona të mbrëmjes. Në rast të kundërt (pra kur nuk kryeni asnjë lloj aktiviteti fizik), organizmi mund të rëndohet dhe si pasojë mund të çorientohet gjumi. Për të lehtësuar pagjumësinë e përkohshme nuk këshillohet qëndrimi në shtrat duke u rrotulluar sa këtej andej të nervozuar, por të shkoni në një dhomë tjetër dhe të lexoni, të shkruani ose të shikoni televizor. Kështu do ta harroni lodhjen dhe gjumi do t’ju vijë në mënyrë të natyrshme.

Kurat natyrore që nxisin mbrojtjet imunitare

Kurat natyrore janë sekreti për të rritur imunitetin. Duke u fokusuar te simptomat dhe “debulesa” e subjektit, mund të reduktohet deri në 95% mundësia për t’u prekur nga viruset, i ftohti, gripi, apo sëmundjet respiratore. Mjaft efikase janë edhe kurat “e gjelbra” natyrore të fito-terapisë dhe aroma-terapisë që ndihmojnë në parandalimin ose kurimin e virozave të stinës.

Hurma, fruti që ju mban larg sëmundjeve të stinës

Nga pikëpamja energjike hurma është simboli i një dielli që futet në kockat tona, i mbush me dritë dhe na jep nxehtësinë e duhur për të përballuar sëmundjet e dimrit. Siç ndodh me pemën e hurmës që i qëndrojnë larg krimbat dhe parazitët edhe te fruti fshihet sekreti i aftësisë mbrojtëse nga sulmet e jashtme. Bima lëshon sekrecione që mbajnë larg “pushtuesit”, gjë të cilën e nuhasin edhe zogjtë që nuk qëndrojnë kurrë në degët e saj. Hurma është fruti që mbron energjikisht edhe mbrojtjet tona imunitare. Përveç frutit, edhe gjethet e saj kanë vlerë. Ato mund të përdoren në formën e çajit, ose të shtohen në sallatë. Si fruti ashtu edhe gjethet kanë aftësi mbrojtëse për lëkurën dhe japin energjinë e bimës./tvklan.al