Disa oficerë të Prokurorisë së Athinës kanë tentuar të marrin në pyetje Julian Sinanaj për disa ngjarje kriminale në Greqi, ku dyshohet se ai ka qenë i përfshirë. Këtë të hënë është tentuar që 35 – vjeçari të merret në pyetje.

Por mësohet se Sinanaj ka refuzuar të japë sqarime, duke bërë që oficerët të largohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pa e administruar dëshminë e tij. Nuk sqarohet nëse oficerët grekë do të rikthehen për ta pyetur përsëri, por burimet thonë se Julian Sinanaj nuk ka dashur të bashkëpunojë me autoritetet e shtetit fqinj.

Hetuesit grekë kanë dyshime se Sinanaj ka vendosur tritolin në Gjykatën e Selanikut dhe është autori i disa vrasjeve në Greqi, me porosi të mafias greke.

Veprimi i prokurorisë greke vjen disa javë pas vendimit të gjykatës, e cila dënoi me 30 vite burg Sinanajn, si pjesë e bandës së tritolit. Sipas prokurorisë, ai ishte autor i të paktën dy vrasjeve në Vlorë.

Tv Klan