Ministria e Jashtme e Sirisë tha sot se prania amerikane në Siri është një akt agresioni dhe përbën shkelje për sovranitetin e vendit.

Këto komente zyrtarët sirianë i bënë pasi Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson foli për planin e Shteteteve të Bashkuara për të mbetuar të angazhuar në aspektin diplomatik dhe ushtarak në Siri për shumë kohë, pas mundjes së grupit radikal Shteti Islamik.

Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr koalicionin që kreu sulme ajrore kundër objektivave të Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak që nga viti 2014 dhe Pentagoni tha muajin e kaluar se në Siri ka rreth 2 mijë trupa amerikane.

Zoti Tillerson i bëri komentet për Sirinë në një takim të Institutit Hoover, me prirje konservatore, që u mbajt dje në Universitetin Stanford.

Ai përmendi disa arsye për të argumentuar përse është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të mbeten në Siri, mes të tjerash, edhe për të parandaluar një rigjallërim të grupeve terroriste Shteti Islamik dhe Al Qaida./

VOA