Është kthyer në një luftë fjalësh mbledhja e Këshillit të Sigurisë në Kombet e Bashkuara mbi situatën katastrofike në Siri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore akuzuan Rusinë se ka kryer krime lufte në Alepo, veçanërisht me bombardimin e dërgesës së ndihmave nga organizatat humanitare.

Samantha Power, ambasadore e SHBA-ve ne OKB:

Ajo që Rusia po përkrah e po bën në Siri nuk është kundër-terrorizëm, por barbarizëm. Vazhdimisht thotë një gjë dhe bën krejtësisht të kundërtën. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk do të ketë paqe në Siri, nëse Rusia e vazhdon këtë luftë.

Ambasadori francez e krahasoi Alepon me Sarajevën, përgjatë luftës së Bosnjës, duke akuzuar Sirinë dhe Rusinë për krime lufte.

E vënë në një pozicion mbrojtës, Moska sqaroi se bashkë me forcat siriane po përpiqen të luftojnë terrorizmin dhe akuzoi SHBA-të se kanë dështuar në frenimin e grupeve rebelë, duke zgjatur më tej luftën civile në Siri.

Ndërsa i dërguari special i OKB-së në Siri, Staffan de Mistura, tha se që prej rinisjes së bombardimeve janë vrarë mbi 200 persona pjesa më e madhe gra dhe fëmijë./ TV KLAN