Në mbledhjen e Emergjencave të zhvilluar gjatë ditës së sotme në Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri tha se në 6 qarqe të vendit, Shtabet e Emergjencës janë të ngritura prej disa ditësh për të marrë masat për të gjitha problematikat – që nga transporti, komunikimi, rrjeti strategjik i infrastrukturës, po ashtu koordinimi me të gjitha Drejtoritë të Transportit, të Bujqësisë, me Ministrinë e Mbrojtjes.

Ministri tha se shqetësimi kryesor është që të mos ketë humbje të jetës të njerëzve, ndërsa theksoi se parashikohet që situata të jetë më e vështirë. Për këtë arsye, Tahiri tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri përfshirë Policinë e Shtetit, për t’ju gjendur njerëzve në nevojë në ndihmë.

“Ndaj Drejtoria e Rezervave të Shtetit, së bashku me pushtetin vendor në çdo qark, ka marrë masa që të ketë një infrastrukturë të minimumit jetik për të gjithë ata që do kenë nevojë për ndihmë nga ana e shtetit lidhur me bazën ushqimore apo veshje, për shkak të temperaturave të ulëta. 

Po kështu është komunikuar nga pushtetit vendor për krijimin e strukturave provizore të strehimit të njerëzve se jemi në të njëjtën situatë rruge dhe për shkak sepse janë shtresa më e rrezikuar nga temperaturat e ulëta. 

Ndërkohë të gjitha strukturat janë në gatishmëri përfshirë Policinë e Shtetit, për t’ju gjendur njerëzve në nevojë në ndihmë”.

Më tej Ministri i Brendshëm i bëri thirrje gjithë qytetarëve të ndihmojnë për ta përballuar me sa më pak pasoja këtë situatë, duke njoftuar strukturat shtetërore për të marrë masa që të kufizojnë lëvizjet në maksimum, për të shmangur çdo pasojë në shëndetin apo jetën e njerëzve.

Njëkohësisht ai i bëri thirrje të gjitha kompanive që kanë marrëdhënie kontraktuale me shtetin shqiptar për mirëmbajtjen dhe hapjen e rrugëve.

“Janë përgjegjëse që në rrugë të mos ketë ngrica. Kjo është pjesa më e rrezikuar veçanërisht në zonat e thella”.

Tahiri u shpreh se falë masave të marra ditë më parë, sot të gjitha akset nacionale janë të kalueshme pa zinxhirë, por ulja e temperaturave e bën akoma më të vështirë veçanërisht në zonat veriore dhe veri lindore të vendit.

Pra e gjithë struktura është në gatishmëri, e gjithë infrastruktura strategjike dhe mjetet janë të gadishmëri,

theksoi ai.

Ministri tha gjithashtu se të gjitha burimet njerëzore të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të gjitha agjencive që përballen me detyra konkrete në rast të emergjencave civile janë të gatishmëri. Ai ripërsëriti se duhet edhe ndihma e qytetarëve për t’i bërë sa më të lehta këto ditë të vështira për shkak të motit./tvklan.al