Ndërprerja e reshjeve të dëborës, mbrëmjen e djeshme ka bërë që të ulen ndjeshëm temperaturat në të gjithë Dibrën.

Si pasojë e ngricave u bllokua Rruga e Arbrit, por më pas autoritetet lajmëruan se aksi Rrugës së Arbrit u hap dhe tashmë mund të lëvizet normalisht.

Kompania që merret me mirëmbajtjen e rrugës ka kryer pastrimin e rrugës dhe ka shpërndarë kripën për të shmangur ngricat.

“Tashmë Rruga e Arbrit është e hapur për përdoruesit e mjeteve dhe qarkullimi mund të kryhet normalisht. Drejtuesit e mjeteve duhet të bëjnë kujdes gjatë udhëtimit natën dhe në orët e para të mëngjesit, të respektojnë sinjalistikën të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me goma dimërore”, thuhet në një njoftim.

Aksi Peshkopi-Klos kalimi bëhet me zinxhirë në orët e mëngjesit për shkak të ngricave, ndërsa më tej Klos – Skuraj pa probleme.

Aksi Ura e Çerenecit – Librazhd kalimi bëhet me zinxhirë.

Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalimi bëhet me zinxhirë.

Aksi Peshkopi- Draj Reç- Kukës kalimi bëhet me zinxhirë.

Pjesa më e madhe e fshatrave në zonat e thella të Lurës, Selishtës, Kalasë së Dodës, Sllovës, Krastës, Ostrenit, Trebishtit, janë të izoluar dhe rrugët janë ende të pa hapura.

Janë prej 48 orësh pa orësh pa energji elektrike Njësitë Administrative Lurë, Selishtë, Luzni dhe Sllovë.

Në Bulqizë vijojnë të jenë pa energji prej 48 orësh Njësitë Administrative Krastë, Ostren, Trebisht dhe një pjesë e fshatrave të Fushë Bulqizës.

Për shkak të ngricave një pjesë e qytetit të Peshkopisë kanë mungesë të ujit të pijshëm, tubacionet kanë ngrirë pasi temperaturat gjatë natës kanë qenë rreth -15 gradë.

Nga informacionet që kemi nga spitali Rajonal Dibër, nuk ka pasur thirrje për emergjenca shëndetësore apo civile.

Klan News