protesta

 

Këta banorë të Kukësit kishin lajmëruar prej ditësh organizimin e një proteste paqësore, por policia u kishte zënë pritë për të mos dalë në rrugë.

Ata kërkojnë faljen e kamatvonesave të energjisë dhe në shenjë proteste tentuan të bllokonin për disa minuta rrugën kryesore. Por situata u tensionua menjëherë pasi ndërhyrjes së uniformave të shumta të policisë me në krye Shefin e Seksionit të Krimeve të Policisë në Kukës, Albion Gjetani i cili në një moment ka humbur gjakftohtesinë dhe ka nxjerrë pistoletën, ka bërë mbushjen e saj dhe ua ka drejtuar protestuesve, madje edhe duke i ofenduar.

Me këto veprime jashte ccdo rregulloreje ai vuri seriozisht në rrezik jetën e protestuesve duke shkelur ligjin për përdorimin e armëve të zjarrit që specifikon situatën se kur punonjësi i policisë mund të përdorë armën.

Ndërhyrja e policisë synonte ndalimin e organizatorit të protestës shtetasit Nderim Lushi i cili është tërhequr zvarrë për në makinën e shoqërimit ku është qëlluar me shqelma dhe grushta po nga Shefi i Seksionit të Krimeve edhe në prani të kamerave të televizioneve.

Në mbrëmje Policia e Shtetit shpërndau një deklaratë për mediat ku thotë se nuk kishte dhënë leje për zhvillimin e protestës për shkak të zhvillimit të një aktiviteti elektoral të Partisë Demokratike, por edhe pasi organizatori i kësaj proteste Nderim Lushi ka bërë thirrje për protestë të dhunshme.

Policia thotë se ajo është sulmuar me mjete të forta dhe se persona të paidentifikuar kanë tentuar t’i marrin armën e shërbimit Shefit të Seksionit për Krimet i cili për parandalimin e këtij akti ka nxjerrë armën nga brezi dhe është shmangur nga turma.

Policia thotë se organizatori është arrestuar, por nuk përmend në asnjë rast dhunën e ushtruar nga shefi i krimeve ndaj tij. Ndërkohë Ministri Tahiri ka urdhëruar verifikimin e procedurave të ndjekura nga policia e shtetit gjatë protestës. Burimet të Tv Klan thanë se sjellja skandaloze e policisë ka vijuar edhe në ambientet e komisariatit ku disa prej protestuesve janë dhunuar.

Tv Klan