Emisioni “STOP” transmetoi skandalin e hedhjes së mbetjeve të rrezikshme spitalore në bregun e lumit Erzen, në fshatin Picallë të Tiranës. Investigimi i kamionëve të mbushur me mbetje dhe që derdheshin në bregun e Erzenit, kulmoi me incidentin e dhunës së administratores së kompanisë “Euroteam”, Mirela Topulli ndaj gazetarit Genci Angjellari, i cili po ndiqte çështjen në fjalë.

Sot, Ministria e Mjedisit dhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve morën masë administrative duke gjobitur “Euroteam” me vlerë 1 milion e 500 mijë lekësh të reja dhe pezullim të plotë të aktivitetit.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar kohë për të shqyrtuar çështjen, edhe pse duhet të ketë marrë më pak kohë kur ka lidhur qindra kontrata me “Euroteam” për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.

Mbrëmjen e djeshme, emisioni “STOP” transmetoi skandalin e kompanisë “Euroteam”, e cila derdh mbetjet e rrezikshme spitalore në bregun e lumit Erzen.

Gazetari: Këto dy targa: AA664 OD është kamioni juaj?

Pronari i kamionit:

 AA 664 OD, Po … Shpëtim XXX.

Gazetari: Dhe kjo AA 563.

Pronari i kamionit: 

Po, po.

Gazetari: Po nga kush ju kanë marrë?

Pronari i kamionit: 

Mirela.

Prej 3 vitesh kompania “Euroteam” ndodhet në fshatin Fortuz të Tiranës, por para disa ditësh u mbulua nga flakët. Në ambientet e brendshme gjenden mbetje të rrezikshme spitalore, të cilat pasi u dogjën u transportuan me kamionë në bregun e lumit Erzen.

Nga fshati Fortuz, ku ndodhet edhe kompania e riciklimit të mbetjeve spitalore ‘Euroteam’, ne kemi ndjekur kamionët të cilët janë furnizuar me mbetje spitalore. Ne kemi arritur të zbulojmë se këto mbetje spitalore hidhen fare pranë bregut të Lumit Erzen, në një kantier. Të gjitha ato mbetjet me ngjyrë bojëqielli janë mbetje spitalore të sjella nga kamionët që punojnë për kompaninë ‘Euroteam’

”, tha gazetari Genci Angjellari, i cili edhe u dhunua fizikisht nga administratorja e kompanisë për dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” Mirela Topulli.

Pas investigimit të rrugës që përshkonin kamionët me mbetjet e rrezikshme spitalore u njoftua Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, grupi i policisë dhe OPGJ, të cilët shkuan në vendngjarje për hetimin e skandalit. Por edhe pas njoftimit të autoriteteve, mbetjet e rrezikshme “u zhdukën” gradualisht nga vendi, ku u hodhën javën e kaluar.

“Në radhë të parë ju falenderojmë juve si emision “STOP”. Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit në momentin e parë që mori kontakt nga ju, ngriti grupet e inspektimit, autorizimet përkatëse dhe erdhëm në terren për të verifikuar situatën. Kemi kapur një subjekt që ka bërë transportin e tyre. Puna jonë vazhdon me një masë administrative për subjektin në fjalë. Jemi në vijim të punëve tona”

, u shpreh inspektori i ISHMP.

Gazetari i emisionit “STOP”, Genci Angjellari kërkoi shpjegim për krimin mjedisor edhe nga aksionerja dhe administratorja e firmës “Euroteam”, Mirela Topulli. Por kjo e fundit, e gjendur përballë provave të pakundërshtueshme të skandalit, ushtroi dhunë mbi të.

Gazetari: Përshëndetje, ju jeni pronarja e kësaj fabrikës?

Mirela Topulli: 

Nuk kam komente.

Gazetari: Pse, po këto mbetjet që janë djegur, ku i hidhni?

Mirela Topulli:

 Ju, kush jeni ju?

Gazetari: Jam nga Televizioni Klan, nga emisioni “Stop”.

Mirela Topulli: 

Gëzohem. Qofsh me shëndet!

Gazetari: A mund të na japësh informacion se ku i hidhni këto mbetje?

Mirela Topulli: 

Ka mundësi të largohesh pak nga makina?

Gazetari: Për çfarë arsyeje? Mund të na thuash se ku i hidhni këto mbetje zonjë?

Mirela Topulli:

 Zotëri mund të largohesh pak nga makina?

Gazetari: Po nuk mund të largohem se kjo është një ndotje shume e madhe mjedisore që ndodh.

Mirela Topulli: 

Çfarë di për ndotjen mjedisore?

Gazetari: Unë çfarë di?

Mirela Topulli:

Hë?

Gazetari: Do shkojmë bashkë tani të tregoj unë se ku i keni hedh mbetjet?

Gazetari: Do na ndjekësh nga mbrapa?

Mirela Topulli: 

Do vij unë…

Gazetari: Hajde… Ktheje makinën…


Mirela Topulli: 

Ju jeni bajga e shoqërisë shqiptare…

Gazetari: Bajgat i ke hedh atje.

Mirela Topulli: 

Unë hedh atje?

Gazetari: Kush i hodhi?

Mirela Topulli: 

Ta tregoj unë se kush i hodhi.

Gazetari: I ke të filmuara të gjitha, të gjitha. Ja shikoje! Shiko çfarë bën, shikoje!

Mirela Topulli:

 E di ç’të bëj unë ty? E di ç’të bëj unë ty more qen.

Gazetari: Bravo! Shiko çfarë bën… kjo që do më denonconte në Prokurori. Bravo!

Kompani fantazmë të kontraktuara nga Ministria e Shëndetësisë, licensuar nga Ministria e Mjedisit operojnë në tregun shqiptar për sa i përket sterilizimit dhe riciklimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore. Shqipëria prodhon deri në 2 mijë ton mbetje spitalore në vit, por sa është kapaciteti i mundur nga këto kompani për të bërë punën ashtu siç parashikohet edhe në lejet që u jepen nga Ministria e Mjedisit?

Në bazë të të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili shpeshherë jep alarmin për ndotjen mjedisore, por edhe për shëndetin, këto kompani nuk zbatojnë rregullat dhe vetëm një sasi e vogël e mbetjeve spitalore të rrezikshme arrijnë të asgjësohen sipas normave.

Në vitin 2014, shoqëria private “Euroteam” është pezulluar me urdhër të Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, si dhe i është vendosur gjobë nga Inspektorati i Mjedisit. Sipas dokumentit të siguruar nga “Report Tv”, “Euroteam” nuk zbatoi lejen mjedisore të dhënë nga Ministria e Mjedisit.

“Euroteam” është licensuar në vitin 2013 për të trajtuar mbetjet e rrezikshme spitalore të Spitalit të Beratit dhe të disa spitaleve private në kryeqytet. Në bazë të investigimeve, në ambientet e kësaj kompanie nuk ekziston asnjë pajisje për të bërë dezinfektimin dhe riciklimin e mbetjeve të rrezikshme spitalore.

“Euroteam” në vitin 2015 u gjobit me 10 milionë lekë të vjetra, por vetëm pas tre muajsh, Ministria e Mjedisit shfuqizon pezullimin e lejes që iu bë, duke i lënë detyrë të përmbushë të gjitha kushtet në bazë të kontratës. Por “Euroteam” vazhdon të lidhë kontrata për tërheqjen e mbetjeve të rrezikshme spitalore me institucionet shëndetësore dhe nuk u përgjigjet këtyre subjekteve për tërheqjen e këtyre mbetjeve. Kjo kompani nuk përballon dot volumin e punës për tërheqjen e mbetjeve spitalore, thuhet në raportin e Inspektoratit Shëndetësor.

“Euroteam” ushtron veprimtari të paligjshme për grumbullimin e mbetjeve spitalore të rrezikshme, thotë Inspektorati Shtetëror Shëndetësor më tej.

Prej disa ditësh, “Report Tv” po ndjek abuzimet që po bëhen me mbetjet spitalore, ku shoqëritë private pavarësisht se lidhin kontrata miliona euro, i hedhin ato në lumenj apo nëpër male. Por këto mbetje kthehen në rrezik për qytetarët shqiptarë, pasi ato përfundojnë në Detin Adriatik, duke rrezikuar prekjen nga hepatitet, infeksionet dhe shumë sëmundje të tjera. Zyrtarisht, as Ministria e Mjedisit dhe as Ministria e Shëndetësisë nuk pranojnë të japin shpjegime për situatën e mbetjeve spitalore.

Sot, më datë 11 Korrik, Ministria e Mjedisit nuk fjeti, por vendosi masë për kundravajtje administrative ndaj kompanisë “Euroteam”, duke e gjobitur me vlerën 1 milion e 500 mijë lekë të reja dhe pezullim të plotë të aktivitetit.

“Për sa i përket subjektit “Euroteam’, pjesë e inspektimit të djeshëm, u mor masa administrative e dënimit me gjobë 1 milion e 500 mijë lekë të reja, masë pezullimi për aktivitetin dhe kërkesë nga ana jonë për revokimin e lejes mjedisore që subjekti disponon.”

Fatjon Pasholli nga ISHMP shprehet se në bashkëpunimin me Policinë e Shtetit do të verifikojnë se ku do të shkojnë mbetjet e rrezikshme spitalore, pasi kompania “Euroteam” është zotuar se do t’i largojë nga brigjet e lumit Erzen.

Gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë për skandalin e kompanisë “Euroteam”, e cila riciklonte në mënyrën më absurde të mundshme mbetjet e rrezikshme spitalore. Zëdhënësja për shtyp e kësaj ministrie tregoi se u zhvillua një mbledhje për këtë skandal, por deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar.

Ministria e Shëndetësisë është kontrollori i një sërë institucionesh që duhet të bëjnë mbikëqyrjen, kontrollin dhe funksionimin e këtyre kompanive, të cilat janë një minë me sahat për mjedisin dhe qytetarët./tvklan.al