Besim Kili, një banor i Fushë-Krujës, denoncon në emisionin “Stop” problemin e tij të pazgjidhur dhe aspak të lehtë.

Besimi tregon se ka një djalë të diagnostikuar me skizofreni dhe për këtë diagnozë është shtruar disa herë në spital, ku ka marrë dhe mjekim. Por i biri është bërë i dhunshëm dhe ka arritur derisa të qëllojë të ëmën me thikë.

Pas denoncimit në polici, i sëmuri përfundoi në paraburgim, ku mbahet në kushte të papërshtatshme për të.

Avokati Sabri Karaj thotë se i sëmuri duhet të qëndrojë në kushte spitalore, pasi kështu e parashikon edhe ligji. Por prokuroria e Krujës prej muajsh nuk ka siguruar raport mjeko-ligjor për të riun me diagnozë “skizofren”.

Mjeku psikiatër tregon ecurinë e pacientit dhe shpjegon se ai duhet të qëndrojë vetëm në kushte spitali psikiatrik.

Pas interesimit të emisionit “Stop”, Prokuroria e Krujës vihet në lëvizje dhe ajo që nuk u zgjidh në 5 muaj, u zgjidh në 2 ditë.

“Unë quhem Besim Kili nga Fushë – Kruja. Kam një djalë, Halit Kilin që është 19 vjeç. Në moshën 17 – vjeçare e kam shtruar në Spitalin e Psikiatrisë në Tiranë, me diagnozën “skizofren”. Ka ndenjur 2 muaj aty dhe ka ardhur në shtëpi. Më datë 12 Qershor ka goditur nënën e tij me thikë! Më datë 23 Gusht ai ka rrahur nënën dhe vëllain e tij! E kam denoncuar, ka ardhur policia dhe e ka arrestuar. Më datë 4 Shtator 2017, tre fletë – daljet dhe të gjithë dosjen që ka ia kam çuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë. Prokuroria ka vendosur masën “arrest me burg”. E kam denoncuar se nuk mundem ta mbaj në shtëpi, por as të shkojë në paraburgim nuk dua. Të paktën të shkojë në spitalin e burgut ose në spital psikiatrie. Në fund arrita iu drejtova emisionit “Stop”.

Avokati i familjes Kili, Sabri Karaj tregon se nëpërmjet një shkrese, më datë 03.01.2017,  i ka kërkuar prokurorisë zëvendësimin e masës së sigurimit të Halit Kilit dhe kryerjen e ekspertimit psikiatro – ligjor, pasi ky i fundit ka qëndruar për rreth gjashtë muaj në paraburgim.

“Organi i prokurorisë brenda dy ditëve e ka çuar kërkesën te Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë, por akoma nuk është bërë ekspertimi, për fajin e IML-së besoj. Pas kësaj kërkuam në gjykatë të ndryshohej masa e sigurimit personal.

Ky ekspertim mjeko – ligjor duhet të ishte bërë që në momentin që nga babai i këtij shtetasi janë dorëzuar fletët e shtrimit në Spitalin Psikiatrik. Në fakt është shumë e rëndë që të vonohet 4-5 muaj dhe një i paraburgosur i papërgjegjshëm të qëndrojë me të paraburgosurit e tjerë!”

Në nenin 239 thuhet se kur një person që duhet arrestuar është i sëmurë mendërisht dhe për këtë shkak përjashtohet ose pakësohet shumë zotësia e të kuptuarit ose e vullnetit, gjykata në vend të paraburgimit mund të urdhërojë shtrimin e përkohshëm në një insitucion psikiatrik, duke caktuar masat e nevojshme për të parandaluar rrezikun e ikjes. Kjo gjë parashtrohet edhe në dispozitën e Kodit të Procedurës Penale.

Mjeku psikiatër pohon që Halit Kili është shtruar tre herë në Spitalin Psikiatrik dhe thotë se një pacient me diagnozë “skizofreni” ka nevojë për ndjekje të vazhdueshme nga psikiatri dhe konsulenca.

“Nëse pacienti bën veprimet homocidale, denoncohet nga prindërit në Drejtoritë e Policisë dhe  gjykata vendos për të trajtuar në kushte spitalore të detyrueshme, këto pacientë janë të detyruar të trajtohen në institucionet me shtretër e mjekim të detyrueshëm. Pra, ky pacient në mënyrë absolute nuk duhet lënë pa mjekim! Spitali i Zaharisë është vendi i përshtatshëm që ky pacient të trajtohet me cilësi, të marrë mjekimin dhe t’i nënshtrohet detyrimeve ligjore që i përket.”

Emisioni “Stop” iu drejtua prokurorisë për të pyetur se përse Halit Kili mbahet prej 5 muajsh në paraburgim, kur duhet të qëndrojë në një spital psikiatrik.

Sekretari –

Për çfarëdo lloj problemi, paraqisni një kërkesë dhe do t’ju kthejmë përgjigje!

Gazetarja – Jo, zotëri! Unë kërkesë nuk paraqes! Më tha: ‘Hajde me zotin Bujar Memia të të jap një intervistë.

Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, prokuroria vendosi që të bëjë brenda 2 ditësh atë çka nuk bëri për 5 muaj. Ndaj i ati i pacientit, Besim Kili falenderon emisionin “Stop” që djali i tij po shpërngulet në spitalin e burgut.

“Djali im kishte 5 muaj që rrinte në paraburgimin e Fushë-Krujës. Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, brenda dy ditëve Prokuroria e Krujës e nxorri nga burgu dhe e çoi në spitalin e burgut për të bërë ekspertizën mjeko – ligjore. Faleminderit emisioni “Stop”!”

/

tvklan.al