helikoptereAshtu si Ministrja e Mbrojtjes, edhe deputetët e majtë të Komisionit të Sigurisë kanë vendosur të heshtin përballë skandalit të përdorimit të helikopterëve të Forcave të Armatosura jashtë misionit të tyre që përcaktohet në ligj.

Arben Çuko, thotë se helikopterët u përdorën për operacionin më të madh policor, por anashkalon faktin se dërgimi i tyre në dy operacione të rrezikshme, në Lazarat e Dukagjin, ku dhe u qëlluan me armë, u bë pa bazë ligjore.

Deputeti Xhemal Qefalia, i cili, si anëtarë i këtij Komisioni, kur ishte në opozitë i kërkonte shkresat zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes në dyert e këtij dikasteri, sot dokumentacionin e kërkon nga media.

Ai është një nga deputetët që helikopterin Kugar e përdoren si taksi për të lëvizur gjatë operacionit në Lazarat.

Deputeti Pjerin Ndreu nuk pranon të bëjë komente.

Ministria e Mbrojtjes nga ana e saj vijon të mos japë përgjigje ndaj kërkesës zyrtare dërguar nga Tv Klan për të marrë informacion se çfarë kriteresh ligjore janë përdorur për të nxjerrë këto helikopterë jashtë misionit të tyre, që përcaktohet me ligj.

Opozita e ka akuzuar Ministren e Mbrojtjes edhe për abuzim me detyrën dhe shkaktimin e një dëmi financiar me ngritjen në fluturim të helikopterëve të Ushtrisë vetëm me urdhëra verbalë, për t’i vënë në shërbime të ndryshme që nuk kanë lidhje me misionin e Forcave të Armatosura.

Ekspertë ushtarake thonë se në bazë të këtyre fakteve, Prokuroria duhet të nisë hetimet, për të hedhur dritë mbi këtë skandal.

Tv Klan