A pharmacist filling a perscription.

Prokuroria e Tiranës po heton prej disa javësh mbi skandalin me rimbursimin e barnave, i cili u bë publik në parlament nga ish – Kryeministri Sali Berisha.

Hetimi ka nisur pasi Drejtoria e Kontrollit në Kryeministri zbuloi pas një auditimi në Fondin e Sigurimeve të Detyrueshëm Shëndetësor, ish -ISKSH, abuzime në shifra të mëdha me rimbursimin e medikamenteve. I gjithë abuzimi kryehej përmes disa farmacive fiktive dhe recetave të falsifikuara.

Në bazë të kallëzimit hidhet dritë mbi një vjedhje rreth 550 milionë lekë të vjetra. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme sqarojnë se janë identifikuar katër farmaci fantazëm, të cilat nuk kanë adresa. As pronarët e tyre nuk janë identifikuar.

Këto farmaci kanë rimbursuar shumën e 55 milionë lekëve të reja barna nga buxheti i Fondit të Sigurimeve Shendetësore, por këto ilaçe nuk janë shitur kurrë. Në të gjitha raste bëhet fjalë për medikamente mjaft të shtrenjta që variojnë nga 300 deri 800 mijë lekë të vjetra.

Të njëjtat burime saktësojnë se janë falsifikuar vulat dhe firmat e rreth 80 mjekëve.

Disa nga mjekët janë pyetur nga organi i akuzës dhe janë shprehur se nuk i kanë firmosur kurrë ato receta.

Prokuroria në të vërtetë nuk ka gjetur asnjë lidhje mes tyre dhe skemës së ngritur.

Prokurorët pranojnë se është mjaft e vështirë për t’u zbardhur e gjithë skema.

Në identifikimin e personave të përfshirë pritet të ndihmojnë materialet që kanë bankat e nivelit të dytë.

Parate e rimbursimit janë qarkulluar përmes tyre. Po kështu po verifikohen pamjet e kamerave të brendshme të bankave për të parë se kush i ka tërhequr shumat e parave.

Dyshohet se këta persona mund të kenë përdorur emra të rremë dhe fitimet mund të ndihmojnë në zbulimin e identitetit të tyre. Grupi hetimor pritet të marrë në pyetje disa drejtues të ish- ISKSH -së, mjekë si dhe persona të tjerë të cilët përbëjnë interes për të zbardhur këtë skandal.

Ish – Kryeministri Berisha deklaroi në Kuvend se pas kësaj skeme qëndronte Nëndrejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, në emër të të cilit dhe të të afërmve të tij tha se figurojnë 4 farmaci.

Ai akuzoi Kryeministrin Rama se e ka mbajtur të fshehte për disa muaj me radhë raportin e Drejtorisë së Kontrollit, në përpjekje për ta mbyllur këtë skandal. Por Ministri i Shëndetësisë i kujtoi se ishte qeveria ajo që e kishte dencuar atë.

Tv Klan