Në Tiranë nisi sot edicioni i dytë i Panairit të Shkollave dhe Aftësive Profesionale, por kamera e fshehtë e emisionit “STOP” tregon se si konviktet e shkollave profesionale Teknike Elektrike dhe Hoteleri-Turizmi janë boshatisur nga nxënësit e rretheve gjithë javën, për të liruar ambientet për aktivitetin.

Në konvikte thonë se nxënësit janë kthyer nëpër rrethe, ndërsa dhomat e tyre janë pastruar dhe ndryshuar, për të mirëpritur pjesëmarrësit e panairit.

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” shkoi në konviktet e shkollave profesionale të Tiranës për të na sjellë me zë e figurë se si janë boshatisur, duke dërguar nxënësit e rretheve në shtëpi.

Konvikti i shkollës Teknike Elektrike “Gjergj Canco”

Qytetarja – Si jeni? Mirë? Ky është konvikti i shkollës profesionale? Se ngaqë kam kushëririn edhe i kanë thënë për këtë panairin. Po si do funksionojë?

Administratorja – Si do funksionojë do na thonë ato. Kur të vijnë, këtu do rrinë.

Qytetarja – Do rrinë tek këto (dhomat)?

Administratorja – Po, tek këto dhomat.

Qytetarja – Po këtu, a ka studentë të tjerë?

Administratorja – Jo pra, e kena boshatis ne konviktin. Ngaqë do vijnë nga arsimi profesional.

Qytetarja – Pse, kanë ikur këto (studentët)?

Administratorja – Po. Kanë ik nëpër shtëpitë e veta të shkretët. I kena pastru dhomat të gjitha, lëviz të gjithë.

Qytetarja – Po këta, ku kanë vajtur?

Administratorja – Nëpër shtëpitë e veta

.

Qytetarja – Po kështu, çarçafët t’i marrin me vete ata?

Administratorja – Jo, jo! Ja u kemi vënë ne, të reja fringo, ja. Janë bo xixë, çarçafë, batanije të reja.

Qytetarja – Janë të reja?

Administratorja – Po, po. Janë boshatis gjithë dollapet, që të fusin ato gjonat e veta.

Konvikti i shkollës  Hoteleri – Turizëm

 Qytetarja – Dëgjo! Doja të pyesja, sepse po më vijnë dy mbesat e mija nga Berati.

Administratorja – Për shkollën profesionale?

Qytetarja – Po. Kur vijnë?

Administratorja- Ato vijnë nesër, shkollat profesionale. Po nuk vijnë këtu vajzat. Vajzat venë tek ekonomiku lart.

Qytetarja – Këtu është vetëm për çunat?

Administratorja – Për çunat, po nuk e di ça do na sjellin.

Qytetarja – Sa do rrijnë ato?

Administratorja – Deri të premten. Dy netë. Të premten ikin.

Qytetarja – Po këto (studentët), kanë ikur këto që kanë qenë?

Administratorja – Po, këta fëmijët i kemi përcjellë.

Qytetarja – Gjynaf. Ku i keni përcjellë?

Administratorja – Nëpër shtëpitë e tyre. Do rrinë ata nja 3-4 ditë, sa të pastrohen që të bëhen gati për ata nesër. 

Panairi i Shkollave dhe Aftësive Profesionale do të zgjasë 3 ditë, ku do të marrin pjesë të gjithë shkollat profesionale nga e gjithë Shqipëria. Nxënës të shkollave të ndryshme profesionale të rretheve tregojnë se ata janë akomoduar në konviktet e Tiranës, ndërsa për sa u përket nxënësve që jetonin në konvikte shprehen se kanë marrë leje nga shkolla dhe se nuk do të jenë pjesë e Panairit.

Ministrja e e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Olta Xhaçka refuzoi të japë një përgjigje rreth kësaj çështjeje, duke u munduar t’i shmanget pyetjes së gazetares së emisionit “STOP”, se pse nxënësit e konvikteve të Tiranës janë dërguar në shtëpi, edhe pse kanë paguar për të gjithë vitin mësimor dhe vendin e tyre e kanë zënë nxënësit që kanë ardhur vetëm për Panairin e Shkollave dhe Aftësive Profesionale.

Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot është shprehur se nëse nuk do të kishin bërë reformën në arsim, shumë të rinj do të ishin duke vënë skedina për gjysëmfinalet e Champions League.

Por si ka mundësi që nxënësve të shkollave profesionale të rretheve iu krijuan të gjitha mundësitë për të marrë pjesë në këtë panair, duke përfshirë akomodimin dhe ushqimin, ndërsa nxënësve të ardhur nga rrethet në shkollat profesionale të Tiranës iu pengua kjo e drejtë dhe u dërguan në shtëpi?/tvklan.al