Skënderbeu nuk beson se lojtarët e tij janë përfshirë në trukim. Sipas klubit korçar janë keqinterpretuar deklaratat e avokatit Zuccheretti, i cili mbrojti çështjen e parë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv në Lozanë.

“Mundësia e përfshirjes së lojtarëve në trukim ndeshjesh është ngritur thjeshtë si hipotezë nga ana e përfaqësuesit tonë në proces, jo si një akuzë, por si një formë për të evidentuar se në një proces disiplinor, shkeljet dhe shkelësit e disiplinës duhen individualizuar dhe mos të kryhet një proces populist ku të gjithë janë të fajshëm, por asnjëri nuk është fajtor”.

Sipas klubit të futbollit Skënderbeu nuk mund të arrihet në përfundim se ndeshjet janë të trukuara vetëm me luhatjet e kuotave.

“Përfaqësuesi ynë ligjor në vitin 2016 ka komentuar faktin se luhatjet e koefiçenteve të basteve live për ndeshjet e KF Skënderbeut janë të pakundërshtueshme, por assesi nuk mund të arrihet në një përfundim se ndeshjet janë të trukuara”.

Klubi i Futbollit Skënderbeu po ndjek çështjen me juristët e tij, pasi inspektorë të UEFA-s kanë kërkuar një dënim tjetër 10 vjet përjashtim nga kupat e Europës.

Tv Klan