Skënderbeu humbi me rezultatin 2 – 1 sfidën e parë në fushën e Mlada Boleslav e vlefshme për turin e tretë të Europa League.

Një lojë më shumë në mbrojtje për korçarët, por gjithsesi goli në fushë kundërshtare e mban ende në garë për kalimin në turin tjetër.

Skuadra çeke shënoi në fundin e pjesës së parë, pas disa rasteve për gol. Në pjesën e dytë lojtarët e Skënderbeut u shfaqën më kërkues me Latifin që shënoi në minutën e ‘86.

Gëzimi i skuadrës shqiptare zgjati shumë pak, pasi në aksionin pasardhës Mlada Boleslav kaloi sërish në avantazh, duke vendosur fitoren në sfidën e parë.

Ndeshja e kthimit do të luhet më 3 gusht në Elbasan për të përcaktuar ekipin që do të kualifikohet në fazën “play off”./Tv Klan