Skënderbeu po përpiqet t’i marrë të paktën një barazim Dinamos së Zagrebit. Faktori fushë kundërshtare e bën të vështirë ndeshjen, por për trajnerin e korçarëve, Ilir Daja, kjo nuk do të thotë të pranojë humbjen.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes Daja vlerësoi kundërshtarin dhe tregoi qartë objektivin për këtë takim. “Dinamo është një nga ekipet më të mira në këtë pjesë të Europës, ne të gjithë e dimë se si janë lojtarët në “Maksimir”. Por ne nuk kemi ardhur këtu për të humbur, ne do të bëjmë maksimumin tonë për t’u kthyer në Shqipëri me një rezultat pozitiv. Atje, në fushën tonë, ne mund të jemi të rrezikshëm ndaj kujtdo”, kanë qenë fjalët e Ilir Dajës për mediat.

 Në seancën e fundit stërvitore në stadiumin Maksimir, është përcaktuar edhe formacioni që do ta nisë nga minuta e parë.

Në portë Shehi. Para tij në mbrojtje do të jenë Vangjeli, Radas, Jashaniza dhe Mici, ndërsa Osmani do të shërbejë si mesfushor mbrojtës.

Në mesfushë Gavazaj, Lilaj, Nimaga dhe Latifi, ndërsa në sulm i vetëm do të jetë Sowe./Tv Klan