Entuziazmi ka arritur në maksimum tek Skënderbeu, pasi kualifikimi historik në fazën e grupeve të Europa League, duke kaluar 4 ture si asnjë skuadër tjetër më parë, është shoqëruar me një short të favorshëm. I këtij mendimi është presidenti i korçarëve Ardjan Takaj, që menjëherë pas përzierjes së goglave në Monaco, premton për një surprizë akoma më të madhe.

 “Ishim në pritje të ndonjë skuadre të madhe, por shoh që shorti është i favorshëm për të vijuar më tej. Do synojmë kualifikimin pasi janë ekipe të kalueshme edhe pse ne e kemi arritur objektivin tonë. Ekipet në grup nuk janë më të forta se ato që kemi eliminuar.”

Sigurisht që vëmendja e kujtdo shkon tek dueli në transfertë me Partizanin e Beogradit. Udhëtimi i fundit në kryeqytetin serb i skuadrës përfaqësuese shqiptare nuk shkoi si duhet, me një ndeshje fati i të cilës u vendos në dyert e gjykatës së arbitrazhit sportiv. Megjithatë presidenti Takaj flet vetëm për futboll.

“Do shkojmë të luajmë futboll kudo, qoftë edhe në Beograd edhe pse dihet vështirësia për të luajtur me ekipet serbe.”

Ndaj Dinamos së Zagrebit stadiumi ishte i mbushur në kapacitet të plotë kjo falë mbështetjes që kanë dhënë të gjitha tifozeritë. Skënderbeu tashmë është kthyer në skuadrën simbol të shqiptarëve dhe kjo ka një arsye sipas presidentit Takaj.

“Shqiptarët janë të uritur për mbrëmje europiane, janë shumë tifoz të flaktë dhe kjo u pa edhe me kombëtaren, ku e skuqën Francën. Ata duan të jetë një ekip shqiptar në futbollin europian, pasi ndjehen të përfaqësuar. Ne e meritojmë të jemi aty.”

/SuperSport