Superliga do të luajë të dielën javën e 17. Gara për titullin është bërë e fortë. Kukësi do të presë Skënderbeun në “Zeqir Ymeri”, një sfidë për kreun e renditjes. Pavarësisht elementëve cilësorë te korçarët, trajneri Ernest Gjoka mendon se lojën mund ta vendosë edhe shpriti i garës.

“Do të luajmë ndaj një prej ekipeve më të mirë, por jo gjithmonë fiton cilësia, por ai që lufton më shumë”.

Për të afruar sa më shumë shikues hyrja në stadium do të jetë e lirë. Trajneri i Skënderbeut, Andrea Agostinelli kërkon lojën që ekipi i tij ka treguar së fundi, duke shtuar se kjo ndeshje nuk mund të quhet kurrësesi vendimtare.

“Asnjë ekip i fortë nuk luan për të humbur, por gjithsesi kjo ndeshje nuk është vendimtare, po të shohim kampionatet e kaluar dhe nuk mund të quhet e tillë”.

Nga rezultati i takimit Kukësi – Skënderbeu mund të përfitojë Partizani, por për mbrojtësin Labinot Ibrahimi kjo nuk ka rëndësi. Të kuqtë do të luajnë më Korabin.

“Nuk na intereson se çfarë ndodh me të tjerët, Partizani shikon vetëm veten dhe të marrim kryesimin”.

Takimet e tjera të javës së 17 janë Tirana – Luftëtari, Flamurtari – Laçi dhe Teuta – Vllaznia.

Tv Klan