Gati për të nisur përballjet në Europa League. Skënderbeu ka zhvilluar stërvitjen e fundit në stadiumin “Olimpiskiy” të Kievit aty ku sonte në mbrëmje do të sfidojë skuadrën vendase Dinamon.

Kundërshtari është i një niveli serioz, por ashtu si edhe në ndeshjet e fazave kualifikuese për në grup, korçarët do të bëjnë lojën e tyre duke u paraqitur si të barabartë me vendasit. Tekniku Ilir Daja në konferencën për shtyp para ndeshjes ka treguar respekt për kundërshtarin dhe nuk i ka fshehur pretendimet për të marrë pikë.

Fillimisht Ilir Daja do të zbresë në fushë me rreshtimin 4-1-4-1.

Kepiteni Orges Shehi është i pazëvendësueshëm në portë.  Para tij në mbrojtje do të vendosen Vangjeli, Radas, Jashanica dhe Mic. Tefik Osmani do të rreshtohet përpara repartit të prapavijës, ndërsa në mesfushë do të jenë Dita, Muzaka, Lilaj dhe James. Si sulmues i vetëm i deklaruar, Daja i ka besuar Ali Sowe. Në total për këtë sfidë janë shitur 28 mijë bileta, por numri i tyre pritet të rritet ndjeshëm deri në momentet e fundit përpara fillimit të sfidës./Tv Klan