Java e fundit e Superligës rikonfirmoi superioritetin e Skënderbeut në kampionatin shqiptar. Pas humbjes në Beograd me Partizanit, skuadra e Ilir Dajës vuajti disi në pjesën e parë me Vllazninë, por me fillimin e së dytës gjeti golin me Takun.

Sowe shënoi në fund të ndeshjes. Korçarët u shkëputën në vendin e parë me 7 pikë nga vendi i dytë Kukësi. Kampionët në fuqi nuk mundën ta kalonin Flamurtarin në Vlorë. Busiç barazoi golin e Elis Bakajt madje skuadra e Shpëtim Duros pretendoi edhe për një vendim të padrejtë në golin e anuluar.

Vlonjatët ruajtën vendin e tretë dhe duket se këtë sezon do të vazhdojnë të jenë në shkallët e larta të renditjes.

Surpriza e kampionatit është padyshim Kamza. Skuadra në periferi të kryeqytetit po ngre zërin mes të mëdhave. Forca e ekipit të Ramadan Ndreut u tregua përballë Partizanit që ishte në krizë rezultatesh, por jo volumi në lojë të prodhuar.

Humbja solli edhe largimin e trajnerit Iuliano, por edhe rënien në vendin e 6. Reagimi pritet pasi ne pankinë u rikthye Sulajman Starova. Laçi kaloi të kuqtë pas barazimit me Teutën.

Vllaznia dhe Lushnja javë në dy vendet e fundit të renditjes. Duke përfituar nga pushimi i kampionatit për shkak në miqësores së kombëtares, skuadrat do të kenë 10 ditë kohë për të përgatitur ndeshjet e radhës që do të luhen më 15 nëntor.

/Tv Klan