Skënderbeu mundi Partizanin pas gati 2 vitesh në një ndeshje ku zotëroi. Korçarët triumfuan 2 – 0 para publikut të tyre me Ali Sowe që shënoi golin e parë në kampionat. Skënderbeu me këtë fitore ngjitet në krye të Superligës, ndërsa Partizani zbret i fundit me vetëm 1 pikë në 3 ndeshje. Ekipi i Ilir Dajës nisi takimin vrullshëm, duke patur disa raste për gol gjatë pjesës së parë.

Mark Iuliano vendosi të aktivizonte Çanin përsëri nga minuta e parë, ndërsa aksionet e kuqve nuk kishin forcën e duhur për të kaluar mbrojtjen e korçarëve. Në pjesën e dytë në fushë për Partizanin hyri Sukaj, por ishte Sowe që realizoi për Skënderbeun. Sulmuesi i huazuar nga Chievo mori një pasim të shkëlqyer nga Vangjeli dhe mundi portierin Hoxha.

Vendasit nuk i ndalën përpjekjet duke realizuar përsëri, kësaj here me 11-metrësh. Lilaj nuk gaboi duke siguruar fitoren. Në këtë sfidë pati edhe një fatkeqësi, pasi një tifoz i Skënderbeu pësoi një aktak kardiak dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk mundi të mbijetonte.

Më herët Luftëtari – Vllaznia dhe Lushnja – Kamza përfunduan 0 – 0. Në Gjirokastër pati një lojë të fortë në mesfushë, por aksionet nuk përfunduan me sukses. Lushnja që ndeshjet në shtëpi i zhvillon në Fier mori pikën e parë në këtë kampionat. Superliga do të luajë ndeshjet e javës së tretë edhe të dielën.

 

Tv Klan