Sot është zhvilluar seanca e parë dëgjimore e Skënderbeut në Komisionin e Disiplinës së UEFA, lidhur me procedimin disiplinor të inspektorëve të UEFA-s që kërkojnë përjashtimin nga Europa të ekipit korçar.

Në një njoftim zyrtar, Skënderbeu sqaron se në seancën e sotme kanë qenë përfaqësuesit ligjorë të skuadrës. Korçarët shprehen të bindur se strategjia e ndjekur prej tyre do të ketë rezultate të kënaqshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

“Sot, më datë 21.03.2018, është zhvilluar seanca dëgjimore në Komisionin e Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës të UEFA-s, lidhur me procedimin disiplinor ndaj Klubit të Futbollit Skënderbeu. Në këtë seancë kanë qenë të pranishëm përfaqësuesit tanë ligjorë, të cilët kanë argumentuar mospërfshirjen dhe pafajësinë e plotë të klubit në veprimtaritë e pretenduara nga Inspektorët e Disiplinës të UEFA-s.

Duke marrë në konsideratë natyrën e konfliktit, specifikën që paraqet gjykimi disiplinor në organet juridike të UEFA-s dhe veçanërisht, ekzistencën e një marrëdhënie institucionale ndërmjet organit të akuzës dhe të gjykimit, Klubi i Futbollit Skënderbeu ka bindjen e plotë se strategjia e ndjekur nga bashkëpunëtorët tanë do të japë rezultate të kënaqshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv.

Sqarojmë sportdashësit dhe opinionin publik se procesi gjyqësor për çështjen në fjalë është në fazën fillestare të tij dhe se Klubi i Futbollit Skënderbeu është i gatshëm të mbrojë investimet dhe punën disa-vjeçare në të gjitha shkallët e gjykimit, qofshin ato sportive apo civile”,

thuhet në njoftimin zyrtar të ekipit të Skënderbeut.

/tvklan.al