Numri i viktimave moderne të skllavërisë që marrin ndihmë është rritur me 300 përqind, ndërsa mijëra të tjerë vazhdojnë të shfrytëzohen për punë, prostitucion dhe shërbime shtëpiake në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar.

Një person i trafikuar për shitjen e organeve ishte mes atyre që iu referuan programit të qeverisë ndërkohë që vitin e kaluar një grup i madh vietnamezësh u zbulua se punonin në fermat e kanabisit.

Ushtria e Shpëtimit, organizatë bamirësie e cila mbështet të gjitha viktimat e skllavërisë moderne të identifikuar nëpërmjet Mekanizmit Kombëtar të Referimit, tha se kishin parë një rritje drastike të kërkesave për ndihmë që nga viti 2011.

Më shumë se 1500 njerëz janë referuar vetëm gjatë vitit të kaluar, me pothuajse gjysmën e tyre të trafikuar për shfrytëzim seksual, 39 përqind për punë të detyruar dhe 13 përqind për shërbime në punë shtëpiake në Angli dhe Uells.

Viktimat e identifikuara në vitin e kaluar ishin nga 95 vende të ndyshme, me pothuajse dy të tretat femra, një e treta meshkuj dhe pjesa tjetër transgjinorë.

Të dhënat vijnë pasi “The Independent” dhe “The Evening Standard” zbuluan shkallën e skllavërisë moderne në Britaninë e Madhe nëpërmjet raporteve.

Ushtria e Shpëtimit tha se nuk kishte asnjë shenjë të pakësimit të viktimave dhe paralajmëroi se ndonëse shumica e rasteve të zbuluara deri më tani ishin në Londër, statistikat flisnin për të gjithë vendin, “

duke treguar përhapjen e këtij problemi dhe nevojën që të gjithë të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave të skllavërisë moderne në komunitetet e tyre”.

Numri më i madh i femrave që mbështeten nga Ushtria e Shpëtimit janë nga Shqipëria, të ndjekur më pas nga Nigeria dhe grupi më i madh i meshkujve janë nga Vietnami.

Një numër i përgjithshëm prej 183 viktimash u referuan gjatë vitit të kaluar, me meshkuj që shfrytëzohen kryesisht për kultivimin e kanabisit dhe grave të shfrytëzuara në industrinë e seksit.

Një viktimë ishte 16 vjeç, kur nëna e tij shiti shtëpinë e familjes në Vietnam për 10 000 paund në mënyrë që ata të transportoheshin në mënyrë klandestine për t’u bashkuar me babanë në Britaninë e Madhe.

Ai u dërgua në një fermë të kanabisit në një banesë në Angli, tha Ushtria e Shpëtimit dhe “e bënë të punonte me orë të gjata në temperatura shumë të nxehta dhe të padurueshme, pa pagesë, ndërkohë që mbahej i robëruar.

Policia e referoi të miturin me inicialin T. në një familje që mund të kujdesej për të, pasi bastisi dhe mbylli fabrikën e drogës. Por ai u arratis përsëri te trafikantët me shpresën për t’u ribashkuar me babanë e tij dhe e bënë të punonte për ngritjen e fermave të kanabisit ne të gjithë Mbretërinë e Bashkuar për disa vite me radhë.

Banda e trafikantëve më vonë e detyroi të miturin të përfshihej në prostitucion, pasi borxhet e tij të supozuara kalonin shifrën e 100 000 paund, duke e rrahur dhe kërcënuar atë se do t’u bënin keq prindërve të tij nëse përpiqej të arratisej.

“T ishte i detyruar të shkonte nga njëri hotel i vogël në tjetrin, duke fjetur me meshkuj dhe femra dhe paguhej jo më shumë se 100 paund në muaj,”

tha Ushtria e Shpëtimit.

Një tjetër viktimë, nga Nigeria, u detyruar të kthehej në një shërbëtor në vendin e tij, pasi kishte ngelur jetim që i vogël.

Ai u trafikua në Mbretërinë e Bashkuar në moshën 16 – vjeçare, nga një familje që e mbajti atë rob në shtëpinë e tyre duke e detyruar të pastronte dhe të kujdesej për fëmijët për gjashtë vjet, derisa u arratis nga një dritare kuzhine.

Numri i viktimave të skllavërisë moderne nga Kina, India dhe Pakistani është gjithnjë e në rritje dhe Britania është një ndër 10 vendet e para të burimit të kësaj skllavërie.

Ashtu siç ka operuar në Britani të Madhe, Ushtria e Shpëtimit po zhvillon projekte për të rritur ndërgjegjësimin ndaj trafikimit në Nigeri dhe Filipine.

Anne Read, drejtoreshë e Ushtrisë së Shpëtimit për skllavërinë moderne tha se rritja e madhe e referimeve tregon progres për mënyrën se si po trajtohet krimi.

“Ne jemi të vendosur të bashkëpunojmë dhe të besojmë se ka më shumë për të bërë dhe duhet të bashkojmë forcat në përpjekjet tona për të parandaluar trafikimin dhe për të mbrojtur viktimat e tij”,

shtoi ajo.

Bamirësia harton plane mbështetëse për viktimat, të cilët mund të zgjedhin të kthehen në vendin e tyre të origjinës ose të marrin këshilla juridike se si të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar, duke marrë mbështetje financiare, këshillim, trajnim dhe edukim.

Shumica e viktimave aktualisht janë referuar nga Zyra Qëndrore, e ndjekur nga policia, bamirësitë, autoritetet e emigracionit dhe avokatët.

Akti i Skllavërisë Moderne u miratua në vitin 2015 për të bashkuar trafikimin dhe shkeljet e skllavërisë, duke kërkuar që kompanitë e mëdha të shqyrtojnë zinxhirët e tyre të furnizimit dhe të lëshojnë udhëzime të reja mbi raportimin e detyrueshëm.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ka dyfishuar shpenzimet e saj të zhvillimit global mbi skllavërinë moderne në 150 milionë paund.

Burimi: The Independent

Shqipëroi: tvklan.al