Kryeministrja skoceze Nicola Sturgeon ka njoftuar se Skocia do të mbajë një referendum të dytë për pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

“Pavarësia do na sigurojë një lidhje me Evropën. Duam të sigurojmë të ardhmen tonë në një mënyrë demokratike”, ka deklaruar ajo gjatë fjalimit që mbajti në “Bute House” në Edinburgh.

Sturgeon mbajti fjalimin pasi deputetët në Westminster u përgatitën t’i jepnin Theresa May-t fuqinë për të zbatuar Nenin 50 dhe të nisnin negociatat për Brexit.

Ajo tha se qeveria britanike “nuk kishte lëvizur as edhe një centimetër për të ndjekur kompromisin dhe marrëveshjen” me qeverinë skoceze mbi Brexit dhe se një marrëveshje e mirë do të ishte “dukshëm më inferiore” ndaj status quo-së.

“Nëse Skocia mund të injorohet në një çështje aq të rëndësishme të BE-së dhe të tregut të vetëm, atëherë është e qartë se zëri ynë mund të injorohet në çdo kohë dhe në çdo çështje,” shtoi ajo.

Kryeministrja ka thënë se votimi duhet të mbahet në mes të vjeshtës të vitit 2018 dhe pranverës së 2019-ës para se të jetë “shumë vonë”, por pasi “kushtet e Brexit të njihen”.

Sturgeon tha se ajo do të kërkonte nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar të autorizonte referendumin e dytë.

“Mundësia e ndryshimit nuk është më e vlefshme. Por ne do t’i japim popullit skocez mundësinë të zgjedhë për ndryshimin që ne duam të kryejmë”, shtoi ajo.

62% e skocezëve votuan të qëndrojnë në Bashkimin Evropian, ndërsa pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar votoi për dalje. Theresa May ka konfirmuar gjithashtu se do ta nxjerrë Britaninë jashtë tregut të përbashkët, një nga “vijat e kuqe” të vendosura më parë nga Sturgeon për një tjetër votë.

Referendumi i parë për pavarësinë e Skocisë u mbajt në shtator të vitit 2014 dhe u fitua nga “Ana e Bashkuar” 55 % me 45%./tvklan.al