Kombëtarja nis sot sezonin e ri. Miqësorja me Marokun, në “Loro Boriçi”, do të jetë testi final para fazës kualifikuese të Botërorit 2018.

Kuqezinjtë zhvilluan stërvitjen mbrëmë në “Selman Stërmasi” me grupin e plotë. Kjo do të jetë ndeshja e parë pa kapitenin Lorik Cana as në stol, i cili pritet të zëvendësohet në qendër të mbrojtjes nga Berat Gjimshiti.

Një tjetër ndryshim mendohet të jetë Ermir Lenjani në krahun e majtë të mbrojtjes. Në mesfushën e ngjeshur Jahmir Hyka mund ta nisë nga minuta e parë ashtu siç mendohet edhe në sulm Sokol Cikalleshi.

Megjithatë gjatë kalimit të minutave do të ketë ndryshime ku do të shikohet edhe forma e lojtarëve, të cilët do ta nisin nga stoli. Takimi do të nisë në orën 20:30 në stadiumin “Loro Boriçi” që është i rinovuar i tëri.

Kapaciteti i shtëpisë së re të Kombëtares dhe natyrisht Vllaznisë është rreth 16 mijë vende të ulura. /TV KLAN