Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, pritet të miratojnë të enjten në Sofje një deklaratë për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore si dhe për përmirësimin e sigurisë, luftën kundër radikalizmit dhe për migrimet.

Deklarata, gjuha e së cilës ishte bërë pjesë debatesh të gjata brenda vendeve të Bashkimit Evropian, do të jetë pjesa përmbyllëse e takimit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Takimi që është i pari i këtij lloji pas 15 vjetësh, synon të rikonfirmojë ardhmërinë evropiane të vendeve të rajonit.

Deklarata e përbashkët bart me vete frymën e imponuar nga kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, i cili nuk merr pjesë në takimin e së enjtes për shkak të qëndrimit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës e cila nuk njihet edhe nga katër vende tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Së këndejmi pritet që deklarata përfundimtare t’u referohet vendeve të Ballkanit perëndimore si “partnerë”, një kompromis i pranuar edhe nga Spanja, e cila përballë problemit të Katalonjës, ka ashpërsuar gjuhën e saj kundrejt Kosovës.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se takimi i së enjtes është një mundësi për të dyja palët.

“Për të ritheksuar se ardhmëria evropiane mbetet zgjedhje gjeostrategjike e Ballkanit. Ne duam të demonstrojmë se na intereson për zhvillimin social ekonomik të rajonit. Investimi në lidhjet infrastrukturore dhe njerëzore me dhe brenda Ballkanit Perëndimorë, është në interesin më të mirë të Bashkimit Evropian… Shpresojmë t’i sjellim më afër miqtë tanë nga Ballkani Perëndimor”, tha zoti Tusk.

Zyrtarët evropian pritet të ritheksojnë qëndrimin se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë vend që nuk i ka të zgjidhura konfliktet dypalëshe dhe se marrëdhëniet fqinjësore i sheh si thelbësore për rajonin që ende bartë plagët e luftërave të viteve të 90-ta.

Për t’u anëtarësuar në BE, Serbia duhet të zgjidhë problemet kufitare me Bosnjën dhe të arrij një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Komisioni Evropian ka propozuar që udhëheqësit e BE-së të hapin muajin e ardhshëm edhe formalisht bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë e cila përballet me kritika për shkallën e krimit e korrupsionit dhe Maqedoninë, kontesti i së cilës me Greqinë për emrin, ka bllokuar për një kohë të gjatë proceset e integrimeve.

Udhëheqësit e lartë evropian u takuan të mërkurën në mbrëmje një darkë joformale për të trajtuar edhe sfidat tjera më të cilat përballet Bashkimi Evropian. Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se “për të qenë subjekt dhe jo objekt i politikës globale, Evropa duhet të jetë e bashkuar ekonomikisht, politikisht dhe po ashtu ushtarakisht si kurrë më parë. Ai tha se përveç sfidave tradicionale politike, siç janë ndikimi i Kinës dhe qasja agresive e Rusisë, tash Evropa po përballet me dukurinë e re që ai e quajti qasje tekanjoze të administratës amerikane.

“Duke parë vendimet e fundit të presidentit Trump, dikush do të thoshte, me miq të tillë, kujt i duhen armiqtë”, tha zoti Tusk duke kritikuar vendimin presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore më Iranin por edhe vendosjen e tarifave shtesë mbi importet e aluminit dhe çelikut, në emër të sigurisë kombëtare./VOA