Sonte në mbrëmje, në orën 21:00 do të keni mundësinë të ndiqni “Maratonën e Këngës” në Berat. Një tjetër spektakël, një tjetër qytet që ofron një pritje emocionuese për “Maratonën e Këngës”.

Ka qenë Berati, qyteti 2000 vjeçar, djepi i muzikës tradicionale, ai që priti kastin e këngëtarëve pjesëmarrës në edicionin e 8 të “Maratonës së Këngës”.

Ashtu siç edhe në edicionet e mëparshme të këtij formati muzikor, banorët dhe Bashkia e Beratit ishin ndër të parët që mirëpritën idenë e realizimit të koncertit. Këtë herë, në një pedonale të re dhe një infrastrukturë moderne, skena gjigande e “Maratonës së Këngës” u vendos aty ku qytetarët ende mbajnë gjallë ritualin e shëtitjes tradicionale të mbrëmjes.

Në përshëndetjen e Kryetarit të Bashkisë, Petrit Sinaj, banorët morën jo vetëm premtimin qytetar të përfundimit të ndryshimeve të nisura, por edhe atë të gjallërimit të jetës artistike që ka ekzistuar historikisht në Berat.

Edhe këtë herë artistët e tingujve tradicionalë dhe pop interpretuan hitet e momentit duke bërë që kënga të dëgjohet deri në Mangalem e në muret e Kalasë./ Tv Klan