Sonte në mbrëmje, në orën 21:00 do të keni mundësinë të ndiqni “Maratonën e Këngës” në Lushnje.

Nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, nga stacioni i fundit në Bilisht të Devollit, “Maratona e Këngës” është zhvendosur në zemër të Myzeqesë, pikërisht në qytetin e Lushnjes.

Një kast i panumërt artistësh të muzikës popullore e tradicionale, të muzikës moderne, janë ngjitur në skenën e ngritur para Bashkisë së qytetit Lushnje dhe kanë kënduar nga ora 21.00 e mbrëmjes së mërkurë deri në pas mesnatë.

Këngëtarë nga e gjithë Shqipëria, por edhe përtej kufijve, emra të famshëm, artistë që kanë promovuar hitet e kësaj vere, admirues që kanë kërkuar foto e autografe prej tyre, të rinj që kanë kërcyer nën ritmet muzikore, të moshuar që kanë kënduar këngët e traditës së dasmave, kjo ka qenë tabloja e kësaj nate të jashtëzakonshme në qytetin e Lushnjës.

Interesi i jashtëzakonshëm i publikut të qyteteve, por edhe kuotat e larta të audiencës në ekranin e Televizionit Klan, kanë treguar edhe këtë herë që “Maratona e Këngës” mbetet ndër spektaklet më popullore e më të dashur për dashamirësit e muzikës shqiptare, që promovon turizmin. Një projekt që gjallëron jetën artistike, atë çfarë ka edhe nevojë teleshikuesi në këtë sezon veror.

Tv Klan