Skënderbeu ka një shqetësim më pak në sfidën e parë me Dinamo Zagreb. Një prej futbollistëve më të rëndësishëm të ekipit kroat, Soudani është stërvitur më vete në prag të takimit të parë play off të Europa League që do të luhet të enjten në stadiumin “Maksimir”.

Algjeriani u la pushim në sfidën e kampionatit me Rijeka, por duket se nuk është ende gati sipas mediave kroate. Një problem për Mario Cvitanovic, pasi Soudani 2 vite më parë i shënoi 3 herë Skënderbeut në play off e Champions League, duke i mohuar fazën e grupeve. Ai pritet të zëvendësohet nga kiliani Junior Fernandez, i cili gjithsesi e ka nisur sezonin mbarë duke shënuar 4 gola në 7 ndeshje zyrtare.

Skënderbeu nga ana tjetër është i plotë dhe shpreson që kësaj here ta eliminoje Dinamon Zagrebit për t’u rifutur për herë të dytë në grupet e Europa League./Tv Klan