Hetime për “Pastrim parash”, “Korrupsion” e “Shpërdorim detyre”

Prokuroria e Posaçme regjistron një tjetër procedim penal me dyshimet e pastrimit të parave, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, pas një kallëzimi të bërë nga gazetari Adriatik Doçi, për ish-Presidentin Ilir Meta, ish-kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi dhe dy personave të tjerë, lidhje familjare e tyre.

Kallëzimi ngre dyshime për një sërë aferash korruptive që datojnë prej vitit 2013, edhe që lidhen me kompaninë e kolaudimeve SGS dhe transferta të dyshimta të familjarëve të ish-presidentit dhe ish-drejtueses së LSI për llogari të partisë.

Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga Prokuroria e Posaçme për Televizionin Klan dhe hetimi është në fazë verifikimi në bazë dokumentesh.

Më herët Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar se ka regjistruar një procedim penal pas kallëzimit të ish-deputetit Halit Valteri ndaj ish-Presidentit dhe disa zyrtarëve dhe drejtuesve të lartë të LSI-së me dyshimet e korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve.

Për këtë procedim janë kërkuar informacione nga bankat e nivelit të dytë dhe Tatimet për llogaritë bankare të ish-Presidentit dhe transfertave të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Tv Klan