Spanja ka pritur tre herë më shumë emigrantë gjatë këtij viti sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

Organizata Ndërkombëtare për Migrimin thotë se emigrantët kanë gjetur një rrugë më të sigurtë drejt Spanjës përmes bregdetit të Marokut.

Autoritetet vlerësojnë se Spanja po kalon edhe Greqinë për numrin e emigrantëve që arrijnë nga deti.

Në fillim të javës, mediat publikuan pamje të zbarkimit te emigrantëve në një plazh në Cádiz. Njerëzit që ndodheshin në barkë, vrapuan drejt tokës duke kapur plazhistët në befasi.

Por Spanja mbetet ende shumë larg Italisë, e cila priti më shumë se 90 mijë emigrantë vetëm gjatë këtyre 8 muajve të fundit.

Edhe pse në total numri i emigrantëve që hyjnë në Europë nga Italia ka rënë, vendi fqinj po mban aktualisht barrën që duhej ndarë me të gjithë vendet e Bashkimit Europian. Muajin e kaluar, Zvicra dhe Austria kërcënuan me nxjerrjen e ushtrisë në kufi për të ndaluar emigrantët që kalojnë kufirin nga Italia.

TV KLAN