Kombëtarja i përfundoi kualifikueset e botërorit aty ku mendohej pa bërë surprizën në një grup ku ndodhet Spanja dhe Italia. Vendi i tretë vlerësohet si një rezultat i kënaqshëm nga specialistët.

Trajneri Ernest Gjoka tha se”ishin ndeshje jo të këqija. Sigurisht nuk mund të pritej më e mira e mundshme, sepse apo ka ardhur dhe idetë nuk mund të përçohen menjëherë do të duhet pak më shumë kohë.

Ndërsa Gazetari sportiv, Fatmir Mëneri tha se “Kemi zhvilluar një fazë kualifikuese brenda pritshmërive ku kemi luajtur mirë dhe kemi bërë llogaritë mirë.”

Christian Panucci po përpiqet të kthejë ekipin më sulmues, për të braktisur gradualisht mbrojtjen dhe të tregohet më i guximshëm. Kjo mund të realizohet gradualisht por duke u treguar të kujdesshëm sipas Ernest Gjokës.

“Duhet të mendojmë për sulmin, por të tregohemi edhe të kujdesshëm pasi në këto kompeticione nëse garon është e vështirë ta korrigjosh.”

Gazetari Fatmir Mëneri mendon se skuadrës i duhen kualitete që të zgjidhin situatën për të pretenduar më shumë.

“Deri më sot duke pasur parasysh kontigjentin që kemi patur, cilësinë e tij me më tepër jemi bazuar te grupi. Për të arritur te ekipet që synojnë më tej natyrisht duhen kualitete për të zgjidhur situatat.”

Trajneri Panucci do të ketë disa muaj kohë për tu përgatitur për ndeshjet e ardhshme zyrtare ato të Ligës së Kombeve që do të nisin në shtator të vitit të ardhshëm. Deri atëherë mund të kërkojë ndonjë element të ri që t’i shtohet grupit aktual ku pjesa dërrmuese ishin protagonistë edhe në Euro 2016.

/Tv Klan