pergjimiiShërbimi Informativ Gjerman ka patur nën vëzhgim një tjetër aleat të NATO –s, pas Turqisë. Sipas informacioneve të revistës Shpigel, në listën e përgjimeve të qeverisë federale ka qenë edhe Shqipëria, e cilësuar si një vend “bërthamë”, çka do të thotë se shërbimi sekret gjerman e konsideron vendin tonë si operativ.

Shqipëria, sipas informacioneve të Shpigel është futur në listën e objektivave spiunazhit gjerman që para anëtarësimit të saj në NATO. Përgjimet në atë kohë kishin si synim luftën kundër krimit të organizuar.

Nuk është ende e qartë se çfarë kanë përgjuar gjermanët në Shqipëri. Por gjithësesi, ky lajm nuk është i mirë as për vetë Gjermaninë, në këtë kohë.

Kancelarja Angela Merkel, kur u vu në dijeni të përgjimeve që kishin kryer Shtetet e Bashkuara në Gjermani, tha me zemërim se “miqtë nuk spiunohen”.

Por dalja në dritë e fakteve se vetë Gjermania ka përgjuar dy vende aleate të NATO –s, e ndërlikon paska situatën.

Emrat e Turqisë dhe Shqipërisë u shfaqën në listë të përditësuar që bashkëpunëtori i Shërbimit Informativ Gjerman dhe njëkohësisht spiuni i CIA –s, Markus R. ua kishte dhënë klientëve të tij.

Sipas informacioneve të Shpigelit, Markus R, përcolli rreth 1 mijë faqe informacion, mes të cilave edhe dokumente me informacione delikate.  Shqipëria u shfaq edhe në listën e përgjimeve të Agjencisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare. Dokumentat e Eduard Snouden provuan se mes shumë liderëve botërorë, në përgjim kishte qenë edhe Kryeministri Berisha.

Turqia, nga ana e saj, ka nisur një hetim pas daljes së lajmit se është përgjuar nga shërbimi informativ gjerman, një tjetër hap që provon se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë të mira.

 

TV KLAN