Mbrëmjen e sotme në orën 21:00 rifillon emisioni “Opinion”, i gazetarit Blendi Fevziu. Edhe këtë sezon emisioni do të vijë për teleshikuesit katër herë në javë. Të hënën, të martën dhe të mërkurën në orën 22:15 ndërsa të enjten në orën 21:00.

Mbrëmja e sotme do të trajtojë një prej temave më të nxehta të verës që lamë pas. Krimet e kryera nga personat të cilët kanë probleme mendore. Rastet kanë qenë nga më të bujshmet dhe kanë shokuar opinionin publik.

E kujt është përgjegjësia për këto vrasje dhe si mund të parandalohen ato?

Kjo është pyetja e cila do të debatohet më së shumti në panelin e mbrëmjes së sotme.  Sigurisht edhe ju mund të jeni aktiv duke na shkruar mendimin tuaj apo duke votuar në sondazhin i cili do të shfaqet në orën 21:00 në

opinion.al

. Stafi i emisionit është duke punuar për disa ngjarje të tjera të bujshme të aktualitetit, të cilat do të trajtohen në javët në vijim.

Ky që sapo nis është sezoni i 20 -të i emisionit “Opinion”, i cili ka startuar më 31 Gusht të vitit 1997 -të. Studio e emisionit mbetet një derë e hapur për të gjithë mendimet ndryshe dhe mbi të gjitha për debatet e forta të ditës.

Politika do të zërë gjithashtu hapësirën e saj, si zakonisht me debatuesit më të fortë e politikanë sfidues. “Opinion” është një nga programet me audiencën më të lartë dhe me një vëmendje absolute për deklaratat e bëra aty.