1111

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati deklaroi në Kuvend se Gjermania ka bërë kërkesë për një hetim ndërkombëtar në Kumanovë.

Gazetarja e Tv Klan, Erisa Zykaj u intersua pranë zyrës së shtypit të Ministrit të Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier, e cila e ka hedhur poshtë këtë gjë.

Në asnjë moment Ministri Steinmeier nuk ka përmendur gjatë konferencës për shtyp me Ministrin Bushati një hetim ndërkombëtar në Maqedoni, janë shprehur burime zyrtare të kësaj zyre.

Pas kërkesës së gazetares Zykaj, zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme gjermane dërgoi transkriptin e plotë të deklaratës së Ministrit të Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier për Maqedoninë, ku i kërkohet Shkupit një hetim transparent dhe jo ndërkombëtar për Kumanovën.

“Kemi biseduar për situatën aktuale në Maqedoni. Incidenti që ndodhi javën e fundit ka tronditur Evropën por e ka bërë gjithashtu që t’a shohë më afër situatën atje. Unë shpresoj që ajo çfarë ne kemi parë, të mos jetë një nisje e përshkallëzimit të situatës, por të kërkojmë përgjegjësit në Maqedoni. Autoritetet në Maqedoni duhet të bëjnë përpjekje sa më shumë të jetë e mundur për një hetim transparent në lidhje me incidentet dhe për të siguruar, se nuk do të ketë incidente të tjera të kësaj natyre. E kam diskutuar këtë me kolegun tim maqedonas në buzë të takimit të NATO-s në Antalia. Dhe i thashë homologut tim: E vetmja mënyrë për të larguar dyshimet, është një sqarim i hapur dhe transparent i ngjarjeve që ndodhën. Ne tani do të shohim nëse do të ndodhë”.

Gabimin që ka bërë Ministri ia ka përcjellë edhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që  ka falenderuar publikisht Gjermaninë për kërkesën për një hetim ndërkombëtar në Kumanovë në rrjetet sociale.

Tv Klan