8 marsi “i panjohur” në shërbimin urban dhe urimi “special” i një polici.

8 marsi u festua në mënyra të ndryshme në vend. Edi dhe Linda Rama takuan disa gra të suksesshme në Pallatin e Brigadave. Lulzim Basha mblodhi gra opozitare në Cadrën e Lirisë. Ndërsa kryebashkiaku Veliaj kishte njoftuar, se shërbimi urban do të ishte falas sot për të gjitha gratë e vajzat. Por në shumicën e autobusëve nuk e kanë njohur këtë vendim.Në Urën e Kasharit një polic rrugor ka zgjedhur një mënyrë të vecantë për të uruar 8 marsin: i ka marrë 10 mijë lekë të vjetra një drejtuesi automjeti, që të mos i vinte gjobë…?!

Handikapi, fëmijët me autizëm pa shërbim dentar.

Zamira Hasa denoncon në “Stop” mungesën e shërbimit dentar për fëmijën e saj 12 vjec me autizëm. Zamira tregon, se e përcollën nga një derë në tjetrën në shërbimin dentar të Tiranës dhe QSUT, por në fund gjeti zgjidhje vetëm falë bujarisë së një klinike private dhe fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”. “Stop” u interesua pranë institucioneve dhe mësoi, se në QSUT nuk ofrohet mbushje e dhëmbëve, por vetëm heqje ose operim dhe cdo të premte, kjo ofrohet për fëmijët me autizëm.

Zamira Hasa është një nënë që fëmijën e saj e ka autik. Ajo denoncon në “STOP” mungesën e shërbimit dentar në spitalet shtetrore për fëmijën e saj 12-vjeç.

“Unë kam një problem djalin tim. Ai është me autizëm dhe përveç problemit që ka, ai ka tani problem edhe dhëmbët.” 

Zamira tregon, se e përcollën nga një derë në tjetrën në shërbimin dentar të Tiranës dhe QSUT.

“Tek Spitali Francez është një klinikë e specializuar, ku ka edhe mjek reanimator, ku ka edhe kirurg dhe bëhen të gjithë bashkë në grup dhe bëhet trajtimi i fëmijës. Sepse ata fëmijë që kanë një seri problemesh kanë nevojë edhe për një qetësues për t’u bërë trajtimi.”

Në fund djali i Zamirës e gjeti zgjidhjen vetëm falë bujarisë së një klinike private dhe fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”. Emisioni “STOP” u interesua pranë institucioneve dhe mësoi, se në QSUT nuk ofrohet mbushje e dhëmbëve, por vetëm heqje ose operim dhe çdo të premte, kjo ofrohet për fëmijët me autizëm.

Alarm SOS në fshatin SOS, të tjera detaje nga skandali seksual.

Emisioni “STOP” transmetoi mbrëmjen e së martës rastin e ngacmimit seksual të një vajze 9-vjeçare në fshatin SOS nga dy djem 15 dhe 16-vjeçarë. Sot reagimi i këtij fshati ka qenë i zbehtë, ndërsa nga institucionet askush nuk e merr përsipër kompetencën e kontrollit. Në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve dhe në Ministrinë e Mirëqenies Sociale thonë se nuk kanë asnjë kompetencë kontrolli ndaj fshatit SOS. Çështja po hetohet nga prokurori Arben Allajbeu.

Ndërkohë xhaxhai biologjik i njërit prej djemve, që kanë kryer aktin, në një intervistë për emisionin “STOP” kërkon që ai të mos hiqet nga fshati SOS, pasi mamaja është në kushte të paqëndrueshme të shëndetit mendor.

Fshati SOS mua për këtë incident nuk më ka njoftuar fare. Unë e kam marrë vesh kur më ra në dorë deklarata noteriale dhe jam befasuar. 

Çfarë thotë kjo deklaratë?

Deklarata thotë që sikur e ëma e këtyre dy binjakëve ka përshkuar kushtet e jetesës, rri në një shtëpi me qera, është e punësuar dhe në këto kushte është në gjendje t’i mbajë fëmijët. Por kjo gjë ka qenë e imponuar nga punonjëset e fshatit SOS.

Pse?

Sepse e vërteta është ndryshe. Po të ballafaqohesh me të ëmën, ajo thotë që unë nuk kam marrë vesh asgjë për çfarë më kanë pyetur dhe më kanë thënë ato se çfarë të them në këtë deklaratë dhe ka firmosur pa dijeni fare. 

Çfarë date mban kjo kontratë?

Kontrata mban datën 3 mars dhe aq më keq sepse kjo nuk ka lekë të paguajë kontratën. Lekët e kontratës tek noterja ia ka paguar institucioni përkatës, pra punonjëset e fshatit SOS.