Shteti i Bashës, hashashi i Ramës dhe katandisja e monumenteve.

Opozita mbushi sot 60 ditë në cadër. Në një studio televizive kryeministri Edi Rama deklaroi, se “hashashin nuk e solla unë, por e gjeta në mes tuaj”, duke vënë veten në rolin e Skënderbeut dhe hashashin në vend të lirisë.Sot në ditën ndërkombëtare të monumenteve, “Stop” tregon, sesi janë “katandisur” afresket e Onufrit në kishën e Shelcanit në Shën Koll të Elbasanit.

Rilindja Urbane dhe abuzimet e projektit në bashkinë e Belshit.

Qytetari nga Belshi, Caush Tafani, tregon se në emër të projektit të “rilindjes urbane”, bashkia i shembi objektin 3 katësh 1 km larg qendrës së qytetit.Kryebashkiaku Arif Tafani thotë, se faza e dytë e projektit të “Rilindjes Urbane” e kapte edhe objektin e prishur.Por grupi prej 5 ekspertësh, përvecse pa licensë, nuk ka zbritur asnjëherë në terrën, për të bërë vlerësimin e objektit. Këtë e pranon edhe njëri prej ekspertëve, Erdison Baxhija. Si përfundim ndërtimi 3 katësh është konsideruar si një-katësh nga grupi i vlerësuesve…

“Tokën e kam blerë me dokumente. Unë e kam marrë këtë tokë nga legalizimet, me çertifikatë pronësie, me leje ndërtimi, me lejen e Bashkisë. Kati i parë ka qenë lokal-restorant, ndërsa kati i dytë dhe i tretë banesë, ku kemi jetuar 5 kurora.”

Çaush Tafani shprehet se objekti u prish, sepse e kapi projekti “Rilindja Urbane”, por kur ka komunikuar me kryetarin e Bashkisë Belsh i është thënë se objekti nuk ishte i përfshirë në projekt, pasi ishte 1 kilometër larg qendrës.

Gazetari – Grupi, i cili do të nxirrte çmimin për shpronësimin e objektit tuaj, a ka ardhur të bëjë matjet?

“Nuk ka ardhur fare! E kanë shpronësuar nga zyra.”

Gazetari i emisionit “STOP” iu drejtua Bashkisë Belsh dhe ka komunikuar me inxhinier Erdison Baxhija, i cili shprehet se nuk kanë qenë në objekt dhe se vlerësimi është bërë në bazë të 125 metrave katror që kanë qenë në çertifikatën e pronësisë.

Gazetari – Si mund të bëhet një vlerësim nga zyra?

Inxhinieri – 

Grupi i komisionit është ngritur nga një urdhër i brendshëm i kryetarit të Bashkisë. Grupi i punës ka qenë i përbërë nga profesionistë.”

Emisioni “STOP” ka mundur të sigurojë një dokument nga Ministria e Zhvillimit Urban, ku konstatohet se të gjithë anëtarët e grupit, i cili do të vlerësonte objektet që do të shpronësoheshin nga ky projekt, nuk janë të licensuar, pra puna e tyre automatikisht bie poshtë.

Gazetari – Ju jeni i licensuar?

Inxhinieri

– Jo, nuk jam i licensuar. Mendoj se kemi bërë punën tonë.

Çaush Tafani thotë se vlerësimi që është bërë për shpronësimin e objektit të tij është i vlerës 17 milionë lekë të vjetra, ndërsa investimi që ka bërë shkon në 178 milionë lekë të vjetra.

Gazetari – Janë 140.8 metër katror që nuk janë përllogaritur sipas çertifikatës së pronësisë.

Inxhinieri –

Këtu ka qenë një gabim nga ana jonë që nuk është parë kati i parë.

Gazetari – Ku keni qenë që s’e keni parë?

Inxhinieri

Ajo është e dukshme. Kjo mund të korrigjohet me një kërkesë drejtuar Ministrisë së Zhvillimit Urban, për gabimin që është bërë nga ana jonë dhe për rivlerësimin e objektit.

Kamera e fshehtë e emisionit “STOP” ka shkuar te specialisti i financës së Belshit. 

Gazetari – Do të pyesnim për këto pagesat e shpronësimeve që janë bërë për këtë projektin Rilindja, pse s’kanë kaluar?

Financieri

– Për kë e ke fjalën ti?

Gazetari – Për Çaush Tafanin.

Financieri

– Ne e kemi çuar në Tiranë komplet, se i plotësojmë të gjithë dokumentet dhe ia dërgojmë Tiranës, se ata e kanë fondin.

Gazetari – Kur ja keni dërguar?

Financieri

–  Ohu, këto janë dërguar… kanë kohë.

Çfarë do të ndodhë me Çaush Tafanin, a do të rivlerësohet objekti i tij dhe a do t’i marrë ndonjëherë ato para?

Fati i policit të Elbasanit, hidhet në rrugë pas 23 vjetësh punë.

Vasil Ranxha, një polic i liruar nga detyra, denoncon në “Stop”, se e hodhën në rrugë pas asnjë shkak, edhe pse punoi mbi 23 vjet në rradhët e policisë. As certifikata e sigurisë dhe as rezultatet e larta në punë nuk i vlejtën, për ta mbyllur karrierën, deri në moshën e pensionit.Maksi Andoni, kryekomisar dhe përgjegjës për burimet njerëzore në policinë e Elbasanit, thotë se Vasili dhe 20 të tjerë janë liruar, jo përjashtuar. Kjo, sipas tij, do të thotë, se të liruarit mund të kthehen në punë, nëse ka nevojë për ta.Kreu i sindikatës së policëve, Sadetin Fishta,tregon për “Stop” , se të tilla vendime janë të padrejta, ndaj ai i është drejtuar Gjykatës për shfuqizim.

“Unë quhem Vasil Ranxha, banor i qytetit të Elbasanit. Kam punuar 23 vjet e gjysmë në Policinë e Shtetit dhe kohët e fundit kam qenë inspektor në dy ish-komuna të thella malore, në ish-komunën Gjinar dhe Zavalin, detyrë të cilën e kam kryer me rezultate shumë të larta. Më datë 09.02.2016, shefi i policisë më komunikon urdhërin e transferimit për në Peqin, një urdhër, në të cilin ndërrohem kokë më kokë me Xhevit Bisaj. Pasi shkoj në Peqin, punoj tre javë dhe marr lejen e zakonshme, të cilin nuk e kisha kryer. Më datë 31, që do të dilja në punë, më fton shefi i policisë së Peqinit dhe më thotë se më kishin hequr nga puna. Shkova në Elbasan dhe më thanë që ishte shkurtim i funksionit organik. I jam drejtuar emisionit “STOP” për këtë padrejtësi që më është bërë! Menjëherë ndoqa rrugën ligjore. I kam bërë dy telegrame Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili nuk më ka pritur. Më ka pritur një inspektor Gani Zeneli, i cili më tha t’i drejtohesha Gjykatës, se ata s’kishin çfarë të bënin.

Vasil Ranxha shprehet se në bazë të ligjit të Policisë së Shtetit, uljet dhe ngritjet në pozicionin e punës bëhen në bazë të një vlerësimi pune, gjë që nuk ka ndodhur për të.

Gazetarja e emisionit “STOP” i është drejtuar Drejtorisë së Policisë Elbasan, ku komunikoi me Maksi Andonin, Kryekomisar, Burimet Njerëzore. Ai është shprehur se Vasili, si dhe rreth 20 ish-punonjës të tjerë nuk janë të larguar nga Policia e Shtetit, por janë të liruar në kuadër të ndryshimeve strukturore.

“Kjo reformë strukturore ka ndodhur në bazë të vendit që shkurtohet, strukturës ku ishte. Cilët janë më të moshuarit, cilët kanë vitet që nuk penalizohen për të përfituar statusin e ushtarakut dhe çfarë performance ka patur. Më vjen keq për Vasilin dhe për gjithë të tjerët, por po shohim me precedencë mundësinë e rikthimit.”

Kreu i Sindikatës së Policëve, Sadetin Fishta shprehet se që prej vitit 2015, që ligji ka hyrë në fuqi dhe deri në momentin që kanë dalë urdhërat për shkurtim funksioni të këtyre 200 punonjësve, nuk ka dalë vendimi i qeverisë për ndryshimin e limitit të përgjithshëm organik në shkallë vendi.

“Për sa kohë nuk ka një vendim të tillë, Ministri i Brendshëm nuk duhej të kishte miratuar strukturat, propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm për ndryshim strukturash organike, me ulje të këtij limiti. Ne si sindikatë, i jemi drejtuar Gjykatës, ku kemi kërkuar pavlefshmërinë e urdhërit të Ministrit.”

Gazetarja – A ka një mbrojtje ligjore për një punonjës policie?

“Normalisht që nëse një punonjës policie lirohet në çfarëdo lloj situate, ai është një qytetar i lirë dhe nuk i ofrohet asnjë lloj mbrojtje tjetër, përveçse sa kanë qytetarët e tjerë.”

Këta punonjës policie janë ata që luftojnë kundër krimit dhe vendosin jetën e tyre në rrezik për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike, ndaj nuk mund të flaken në këtë mënyrë mes katër rrugëve…