Prerja dhe transporti i druve në kohën e moratoriumit.

Në pjesën e parë të emisionit trajtohet moratoriumi i pyjeve dhe lehtësia, me të cilën kamionë me dru zbresin nga Linza, ku dhe janë ngarkuar.Një tjetër video tregon, sesi masakrohen pyjet, pavarësisht ligjit për ndalimin e prerjes së tyre.

Skandali, Euroteam hedh mbetjet e rrezikshme në brigjet e Erzenit.

Një ndër shkaqet kryesore të dyfishimit të sëmundjeve vdekjeprurëse në Shqipëri, konsiderohen mbetjet e rrezikshme. Një ndër kompanitë, që fiton miliona euro me biznesin e trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore, “Euroteam” rezulton, se konsumon rregullisht krim mjedisor.Një investigim i emisionit ‘Stop” tregon, sesi mbahen mbetjet e rrezikshme, në kushtet e një magazine të pushtuar nga flakët. Më pas një kamion ngarkohet me to dhe ngarkesa përfundon në brigjet e lumit Erzen në Picallë të Tiranës.

Investigimi i biznesit të vdekjes dhe dhuna ndaj gazetarit të “Stop”.

Pas investigimit të rrugës, që bënin mbetjet e rrezikshme spitalore dhe derdhjes së tyre në brigjet e lumit Erzen, Inspektoriati i Mjedisit dhe grupi i policisë dhe OPGJ shkuan në vendngjarje për hetimin e skandalit. Por edhe pas njoftimit të autoriteteve, mbetjet e rrezikshme “u zhdukën” gradualisht nga vendi, ku u hodhën javën e kaluar.Gazetari i “Stop” kërkoi shpjegim për krimin mjedisor edhe nga aksionerja dhe administratorja e firmës “Euroteam”, Mirela Topulli. Por kjo e fundit, e gjendur përballë provave të pakundërshtueshme të skandalit, ushtroi dhunë mbi gazetarin.