Sorollatja e qytetarit për një vërtetim në ATP.

Xhevdet Bashllari tregon në “Stop”, se në mes të shtatorit aplikoi pranë Agjensisë së Trajtimit të Pronave për një vërtetim, që dosja e tij ndodhet në këtë institucion.Një dokument i tillë i duhej për një proces gjyqësor, që kishte në Korcë. Edhe pse iu tha, që vërtetimin do ta kishte gati brenda dy javësh, Xhevdeti u sorollat për ditë të tëra.Pas ndërhyrjes së gazetares së emisionit “Stop”, Xhevdeti pajiset me vërtetimin e kërkuar bredna pak orësh.

Skandali i mbetjeve spitalore, gjobitet Euroteam dhe i pezullohet aktiviteti.

Në emisionin e së hënës, “Stop” transmetoi megaskandalin e hedhjes së mbetjeve të rrezikshme spitalore në bregun e lumit Erzen, në fshatin Picallë në Tiranë. Investigimi i kamionëve të mbushur me mbetje dhe që derdheshin në bregun e Erzenit, kulmoi me incidentin e dhunës së administratores së kompanisë “Euroteam”, Mirela Topulli, ndaj gazetarit Genci Angjellari, që po ndiqte cështjen në fjalë. Sot Ministria e Mjedisit dhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve, morën masën administrative gjobë 1 milionë e 500 mijë lekë të reja ndaj “Euroteam” dhe pezullim të plotë të aktivitetit.Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar kohë, për të shqyrtuar cështjen, edhe pse duhet të ketë marrë më pak kohë, kur ka lidhur qindra kontrata me “Euroteam” për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.

Denoncimi: sa herë merr certifikatë, i ndryshojnë prindër e ditëlindje.

Altin Shkoza tregon, se prej tre ditësh shkonte pranë komisariatit të policisë Tiranë, për të bërë një denoncim për disa certifikata false të lëshuara nga bashkia e Tiranës. Pas indiferencës së shfaqur, Altini iu drejtua Drejtorisë së Policisë, por sërish pa sukses. Pas ndërhyrjes së “Stop”, denoncimi u bë në pak minuta. Altin Shkoza dhe Farak Kazazi pretendojnë, se zyra e gjendjes civile, certifikatat familjare të familjes Murthi, i lëshon cdo herë të ndryshme. Sipas tyre, kjo bëhet për të favorizuar një degë të fisit, për cështje pronash.Në certifikatat e siguruara nga “stop” ndryshojnë atësia, mëmësia dhe datëlindja.